Një udhëtim sekret i alpinistëve zviceranë e austriakë në malet e Shqipërisë në vitet 70-ta

Ngjitja per ne Korab e alpinisteve zvicerane.

Ironia e ditëve të sotme është se kur shqiptarët i gjen rrugëve të Bashkimit Europian, në malet e shqiptarëve i gjen europianët perëndimorë. Mjafton që njëherë të kryesh një vizitë në shtigjet e Valbonës, Korabit ose Sharrit dhe do vëresh dhjetëra gjermanë, çekë, polakë, por edhe belgë e hollandezë.

Dallimi është ky – se në kohën kur kosovarët kanë akoma nevojë për vizë për të shkuar rrugëve të Perëndimit, perëndimorët mund të vinë lirshëm drejt maleve të mrekullueshme tonat. Por nuk ishte kështu deri para pak dekadash, informon foldrejt.com.

Shqipëria

Interesi i perëndimorëve për malet shqiptare nuk është i vonshëm. Në vitin 1966, një grup alpinistësh nga Austria dhe Zvicra kërkonin që të ngjitnin majat shkëmbore të Korabit – majës më të lartë të Shqipërisë dhe e dyta në ish Jugosllavi.

Alpinistët në fjalë udhëheqëshin Fritz Lörtscher, por atij i duheshin plot pesë vjet për të pritur që të marrë vizë për të vizituar Shqipërinë nën diktaturën e Enver Hoxhës. Në momentin kur alpinistët perëndimorë kishin humbur shpresat, vjen përgjigja pozitive nga regjimi i Enver Hoxhës – që ata mund të vizitojnë malet e Shqipërisë – kryesisht të pjesës veriore.

Për këtë nevojitej edhe leja strikte, qoftë edhe nga kalimi nga një distrikt në një distrikt tjetër.

“Shqipëria është një vend me nuanca orientale që është e mbyllur gjatë nga oksidenti dhe duket mjaft larg dhe e huaj,” kujtojnë alpinistët zvicerano-austriak në vitet 1970, pak pas viztës në Shqipëri. “Është tërësisht romantike dhe me kontraste sekrete – sikur papritur je transferuar në Mesjetë.”

Ajo që bie në sy nga përshkrimi i mëtejshëm i tyre, është se pranojnë hapur se shqiptarët nuk janë as “sllavë e as rumunë”, por ilirianë dhe pjesë e grupit indogjermanë.

Poashtu përmendet se toka shqiptare është mjaft e pasur dhe se “Shqipëria me bukuritë e saj natyrore të kujton Zvicrën”, përcjell foldrejt.com.

Kush dhe çfarë e ndihmuan Shqipërinë?

Alpinistët e atëhershëm, ashtu si edhe sot, nuk janë vetëm alpinistë, por “dinë diçka më shumë”. Ata kujtojnë se me ndihmën e sovjetikëve “vëllai i vogël” krijoi një armatë, çekët e ndihmuan me shtrirjen e hekurudhave 137 kilometra – duke lidhur Durrësin me Tiranën dhe Elbasanin; Hungaria dhe Gjermania Lindore ndihmuan në mekanizimin e bujqësisë; kurse polakët dhe bullgarët ndihmuan në ndërtimin e hidrocentraleve rrjetit të madh elektrik. Me Kinën Shqipëria arriti të industrializohej paksa.

Si fabrika përmenden ajo e përpunimit të drurit, të cigareve dhe kombinatit kimik në Elbasan.

Më pas përmenden vendet që janë vizituar nga alpinistët si Gjirokastra, Vlora, Berati, Shkodra, por edhe malet si Tomorri 2480m, Maja e Papingut 2486m, Mali i Mokrës, Shebeniku, Mali i Shapit, Mali i Polisit, Guri i Topit (2379m), Voskopojën, Valbonën, Koritniku, Luma, Beshtriqi, Cermenika, Krujën e Skëndërbeut, por edhe malet tjera në Himarë që janë pa ujë por interesante se ndodhet përballë detit.

Nuk kishte si të mungonte edhe Korabi, maja më e lartë e Shqipërisë 2764 metra.

Për shkak të shkëmbinjve, ngjitja në malet e Korabit është mjaft impresionuese për alpinistët, por për shkak se ndodhet në kufij me Jugosllavinë, kërkohet leje e posaçme, kujtojnë më tej alpinistët, përcjell foldrejt.com.

 

Çdo ekskurzion duhet të përgatitet si çdo ekspeditë e vogël. “Në Shqipëri nuk ka nevojë për shumë para, por durim, durim dhe njëherë durim, derisa të fitosh vizën. 

Çdo udhëtim jonë normalisht është përcjellë nga ndonjë punëtor i Sigurimit – që ka përparësit dhe mangësitë e veta, përmbyllej shkrimi i alpinistëve zviceranë në vitet 70-ta./Foldrejt.com

Për më shumë mund të lexoni faqen e alpinistëve zviceranë:

https://www.sac-cas.ch/de/die-alpen/albanien-11100/