Një muaj nga aksidenti në Llaskarcë, Ministria e Shëndetësisë e tregoi bilancin e të lënduarve

Pesë të lënduar në aksidentin e autobusit të “Durmo Tursit” në fshatin Llaskarcë edhe pas një muaji janë duke u kuruar në qendrat spitalore të Republikës së Maqedonisë së Veriut  (RMV), njoftuan për Portalb.mk nga Ministria e Shëndetësisë.

“Në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” janë duke u hospitalizuar 2 të lënduar në aksidentin në Llaskarcë, prej të cilëve një pacient është në “shok dhomë”, në gjendje të përmirësuar dhe po rehabilitohet, ndërkaq tjetri pacient është vendosur në repartin kirurgjik dhe gjendet në gjendje të përgjithshme stabile. Në kuadër të Qendrës Klinike, një paciente është vendosur në Klinikën për Anestezion, Reanimacion dhe Mjekim Intensiv, kurse dy pacientë janë në Klinikën Neurokirurgjike, prej të cilëve njëri është në kujdes intensiv”, thanë nga MSH-ja.

Edhe pas një muaji, nuk dihen shkaqet e aksidentit

Nga ana tjetër, ngecje ka në procesin e zbulimit të shkaqeve të aksidentit, pasiqë Prokuroria Themelore Publike (PTHP) edhe pas një muaji nuk është e gatshme të dalë me informata preliminare.

LEXO: Kanë kaluar një muaj nga aksidenti në Llaskarcë, Prokuroria ende nuk i ka zbuluar shkaqet

Qeveria PTHP-së: Sa më shpejtë dilni me raport

Në lidhje me procesin e hetimit, zëdhënësit e Qeverisë së RMV-së, Muhamed Hoxha dhe Mile Boshnjakovski sot janë deklaruar edhe në konferencën për media.

“Organet hetuese janë duke i vazhduar hetimet, dhe shpresoj se Ministria e Punëve të Brendshme dhe organet tjera do të dalin me informacione në lidhje me hetimin, ja të themi në gjetjen e fajtorit që ndodhi aksidenti. Shpresojmë se organet përgjegjëse do të dalin së shpejti me informacione të sakta. Deri tash në Qeverinë e RMV-së nuk kemi ndonjë informacion në lidhje me aksidentin”, tha Hoxha.

“Ne si Qeveri apelojmë që Prokuroria sa më shpejtë të dalë me raport”, tha Boshnjakovski.

Ndryshe, aksidenti i komunikacionit në rrugën Shkup – Tetovë, në fshatin Llaskarcë ndodhi më 13 shkurt të këtij viti, si pasojë e rrokullisjes së autobusit të ndërmarrjes “Durmo Turs”. Humbën jetën 15 persona dhe dhjetëra të tjerë u lënduan.