Ngrihen zyrtarisht akuza për korrupsion kundër kryeministrit Netanyahu

Prokurori i Përgjithshëm i Izraelit akuzoi zyrtarisht të enjten Kryeministrin Benjamin Netanyahu për një seri çështjesh korrupsioni, duke e çuar sistemin politik tashmë të paralizuar të vendit në një çrregullim të mëtejshëm dhe duke kërcënuar kontrollin e pushtetit të zotit Netanyahu për një kohë të gjatë.

Prokurori i Përgjithshëm Avichai Mandelblit e akuzoi zotin Netanyahu për mashtrim, shkelje të besimit dhe pranim të ryshfeteve në tre skandale të ndryshme. Është hera e parë që një kryeministër izraelit në detyrë akuzohet për një krim.

Akuzat kundër Netanyahut përfshijnë dyshimet që ai pranoi qindra mijëra dollarë në mallra si shampanjë dhe cigare nga miqtë e tij miliarderëve, ka ofruar favore tregëtie për një botues gazete dhe ka përdorur ndikimin e tij për të ndihmuar një manjat të pasur të telekomit në këmbim të një mbulimi të favorshëm në një faqe popullore lajmesh.

Aktakuza nuk kërkon që zoti Netanyahu të japë dorëheqjen, por pritet të ushtrojë presion mbi të që të tërhiqet nga posti.

Netanyahu i ka quajtur akuzat pjesë e një gjuetie shtrigash, duke kritikuar median, policinë, prokurorët dhe sistemin e drejtësisë./VOA