Në kujtim të poetit Dritëro Agolli

Edhe disa javë bëhen dy vite pa poetin e shkrimtarin e madh shqiptar Dritëro Agolli. Prania e tij artistike vjen pothuajse çdo ditë mes vargjeve e letrave që la ai.

Agolli ishte poet, prozator, publicist dhe politikan shqiptar. Që nga viti 1973 ai ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Është fitues i disa çmimeve dhe i nderimeve të tjera. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në Perëndim e në Lindje. Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet’60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Në veprën e Agollit e pa veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku. Agolli i bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare.

Agolli iku nga kjo botë më 3 shkurt të vitit 2017, ndërsa po atë ditë u rikujtua më së shumti përmes poezisë “Kur të jesh mërzitur shumë”, pasi që vet poezia ishte një udhëzim se ku duhet kërkuar autori kur të mos jetë më.

Kjo poezi e vendosur edhe në vargje këngësh, është interpretuar mjaft shumë nga artistë e interpretues. Më posht ju paraqesim poezinë e tij më të dalluar që tashmë është inperpretuar edhe si këngë.

Këtu s’ do të jem, do jem larguar;
Në tokë i tretur si të tjerët,
Në kafenenë e preferuar
Nuk do më shohin kamarierët.

Dhe nëpër udhët ku kam ecur,
S’do ndihet kolla ime e thatë,
Mbi varrin tim do të rrijë i heshtur
Një qiparis si murg i ngratë.

Ti do trishtohesh atëherë,
Se s’do më kesh në dhomë gjallë,
Dhe, kur në xham të fryjë erë,
Do qash me erën dalëngadalë.

Po kur të jesh mërzitur shumë.
Në raft të librave kërkomë,
Atje do të jem i fshehur unë,
Në ndonjë varg a ndonjë shkronjë.

Mjafton që librin pak ta heqësh
Dhe unë do zbres, do vij pas teje;
Ti si dikur me mall do qeshësh,
Si një blerim pas një rrëkeje…