Naser Rugova i rekomandon Vjosa Osmanit të anëtarësohet në Vetëvendosje

Anëtari i Kryesisë së LDK’së, Naser Rugova, i ka rekomanduar nënkryetares së LDK’së, Vjosa Osmanit, që të anëtarësohet në Vetëvendosje edhe zyrtarisht.

Sipas tij, qëndrimet e Osmanit janë ofendim dhe fyerje për LDK’në.

“I rekomandoj Vjosës të anëtarësohet edhe zyrtarisht në VV. Qëndrimi i saj në LDK, thjesht sa për formalitet, është fyerje për një pjesë jo të vogël të anëtarësisë së LDK-së”, ka shkruar Rugova.

Naser Rugova ka thënë se Osmani duhet të zgjedh mes rrugës së kthimit në LDK ose të kalojë në Vetëvendosje, pasi sipas tij kryetarja e Kuvendit po del keq duke luajtur rolin e zëdhënëses së VV’së nga LDK’ja.

“Me qeverinë Hoti, si formë konkrete e refuzimit të populizmit si model dhe taktikë politike, LDK ka rrezikuar shumë, por kjo nuk është sakrifica jonë e parë dhe sigurisht që nuk do të jetë e fundit, sepse LDK nuk bën aventura me fatin e Kosovës.Janë dy rrugë: O ktheju partisë dhe respekto vendimet e shumicës, verdiktin e kushtetueses dhe sugjerimet e miqve tanë strategjik o shko në VV sepse po del shumë keq si zëdhënëse e saj nga një subjekt tjetër!”, ka shkruar Rugova.

Vjosa Osmani në vazhdimësi ka kundërshtuar qëndrimet e LDK’së për rrëzimin e Kurtit nga pushteti, s’ka votuar për qeverinë Hoti dhe tashmë është edhe kundër vendimit të fundit të qeverisë së drejtuar nga LDK për t’i hequr masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.