NASA po bashkëpunon me ekipe në kampuset universitare në mbarë Amerikën për të zhvilluar teknologjinë e re për kostumet hapësinore që do t’i ndihmojë astronautët gjatë rikthimit në Hënë, dhe në të ardhmen kur të zbarkojnë në Mars. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, vizitoi një nga këto ekipe, në Peoria të shtetit Illinoi. Ata shpresojnë të japin kontribut të konsiderueshëm për programin hapësinor të Shteteve të Bashkuara.
Zach Bachmann, student në Universitetin Bradley, nuk u rrit me aspiratën se do të bëhej astronaut.
Por një interesim i përhershëm për lojërat elektronike dhe kompjuterat, e ka vendosur atë në epiqendër të përpjekjes kombëtare për të zhvilluar teknologjinë e kokores hapësinore për brezin e ardhshëm të astronautëve.
S.U.I.T.S., projekti interesant i NASA-s për projektimin e kostumeve hapësinore, u mundëson studentëve të krijojnë ekrane me informacion të shtuar për këto kostume.
Ata punojnë duke përdorur syzet më të fundit të realitetit virtual të kompanisë Microsoft, Holo Lens, për të krijuar dhe për të testuar idetë e tyre.
NASA ka njoftuar tashmë kostumin e ri hapësinor për misionet Artemis që janë planifikuar të zhvillohen gjatë kësaj dekade drejt Hënës. Sfida është finalizimi i këtij kostumi që përmban teknologji shumë të avancuar.
Në një vit normal, dhjetë ekipe do të kishin udhëtuar drejt Qendrës Hapësinore Johnson të NASA-s në Hjuston, Teksas, për të demonstruar vetë projektet e tyre. Por, për shkak të pandemisë së koronavirusit, eksperienca e tanishme është e gjitha virtuale, duke u dhënë kështu më shumë studentëve shansin për të marrë pjesë.
Ai thotë se për shkak të punës së studentëve, NASA ka bërë progres më të shpejtë për projektimin e kësaj teknologjie.
“Puna që ata bëjnë ka ngjallur kërkime në terren”, thotë zoti Hargis.
Kur astronautët të zbarkojnë sërish në Hënë, teknologjia e influencuar nga studentët do të jetë e pranishme përpara syve të astronautëve, për t’i ndihmuar të veprojnë në hapësirë.