Konferenca e 8-të vjetore e imamëve u mbajt në Shkodër sot (23 shkurt) dhe si temë diskutimi kishte mbi pozitat e gruas në Islam, informon foldrejt.com.

Në qendër të vëmendjes ishte pozita e gruas në Islam, tematikë që u trajtua në 16 referate, të ndara në dy seanca.

Referatet e përgatitura nxorën në pah madhështinë e Islamit në raport me pozitën e gruas, në të gjitha etapat e saj, krahasuar me qytetërimet dhe besimet e tjera, ku akoma sot, gruaja konsiderohet si e papastër, e keqe e domosdoshme, e padenjë për jetën, objekt joshjeje dhe e krijuar për epshet mashkullore, reklamë tunduese për botën.

Në konferencë u spikat roli i muslimaneve në edukimin e brezave dhe përhapjen e qytetërimit islam ndër shekuj, si dhe lartësimin që i ka bërë Islami nëpërmjet Kur’anit dhe Traditave profetike, pozitës së femrës në jetë, duke e vlerësuar atë si nënë, si bashkëshorte, si motër e bijë, si dhe duke mbrojtur nga padrejtësia dhe shthurrja në jetë.

Ndërkohë, në referatinj e tij dhe mesazhin para imamëve, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ndër të tjera tha: “Por, ajo që është më e rëndësishme për t’u përmendur në këto kontekste, është se cila është detyra e imamëve, vaizeve, thirrësve islamë në drejtim të thirrjes me urtësi e largpamësi, larg tendencave të ekstremizmit dhe leximit të cungët të teksteve dhe fetvave, që shpesh kanë ndikuar në etiketimin e fesë islame me çfarë nuk e meriton dhe me çfarë nuk është në realitet!

Ku jemi në drejtim të përhapjes së mësimeve qytetëruese të fesë tonë dhe edukimit fetar të brezit të ri, në realitetet e mungesës së lëndës së edukatës fetare në shkollat e vendit tonë, si dhe përtej demagogjisë së premtimeve elektorale dhe tendencave të përhapjes së ateizmit dhe afetarizmit, edhe nëpërmjet tribunave politike dhe ithtarëve të rinj të frymërave të reja që e duan shoqërinë njerëzore larg besimit dhe fesë, larg disiplinës së besimit dhe përkushtimit ndaj Fjalës së pandryshuar të Zotit; Kur’anit Famëlartë, si garanci e padiskutueshme dhe krejtësisht e mundshme për ndreqjen e asaj që dekada e shekuj kanë prishur në jetën e njeriut!”

Në këtë konferencë referuan: Imam Muhamed B. Sytari, teologët Gilman Kazazi, Lavdrim Hamja, Durim Kasemi, Idmir Plaku, Arben Halluni, Adem Pizga, Ervil Kuçi, Naim Drijaj.

Ndërkohë, tek seanca e teologeve dhe vaizeve, referuan teologet: Arta Ujkaj, Elona Sytari, Zamira Puka, Ferzet Ndoja, Adelina Muça, Jetmira Plaku dhe Drita Muça.

Konferenca u përshëndet edhe nga Myftiu i Malësisë së Madhe, H. Edmir Smajlaj./Foldrejt.com

Videon e konferencës mund ta shikoni duke klikuar këtu.