Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, përmes një konference për media prezantoi projektet e reja, një sërë aktivitetesh që duhet të rezultojnë në krijimin e një strategjie të re dhjetë-vjeçare të politikës së jashtme – Reflektimi 2030.

Me këtë strategji, siç thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, do të formohet një doktrinë e re e punës së diplomacisë, të përshtatur ndaj trendeve moderne demokratike, pozicioneve të reja gjeopolitike, por edhe rrethanave të reja, reale socio-politike të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Edhe pse kemi ende shumë punë për të bërë, mund të konstatojmë se qëllimet tona strategjike po hyjnë në një kornizë kohore, të parashikueshme që tregon qëndrueshmëri ndaj sfidave dhe kërcënimeve të përditshme. Prandaj, mendoj se tani është koha e duhur për të bërë një përmbledhje të rolit aktual të politikës së jashtme dhe rezultateve të arritura, për të nxjerrë një vijë në një farë mënyre dhe për të bërë një lloj projeksioni, apo edhe reflektim më të mirë mbi politikën e jashtme të ardhshme, prioritetet e vendit si një partner i plotfuqishëm i komunitetit Euro-Atlantik dhe aktor aktiv në një nivel multilateral”, tha Osmani.

Sipas tij, strategjia e re – Reflektimi 2030, do të krijohet përmes një procesi të gjerë konsultativ, i vendosur në tre shtylla: konsultime të gjera civile, konferenca të organizuara tematike dhe krijimi i një Këshilli Strategjik të Politikës së Jashtme.

“Të udhëhequr nga premisa themelore që politika e jashtme fillon në të vërtetë brenda, në shtëpi, ne fillojmë me konsultime të gjera qytetare, si shtylla e parë e strategjisë së re – Reflektimi 2030. Këto janë takime demokratike pjesëmarrëse, të cilat do të mbahen në komuna në të gjithë Maqedoninë e Veriut dhe përmes së cilës ne do të përpiqemi të forcojmë lidhjet midis qytetarit të zakonshëm dhe integrimit Euro-Atlantik të vendit. Ne do të forcojmë procesin përfshirës në një nivel më të lartë, ekspert dhe profesional, përmes konferencave tematike të organizuara mbi Reflektimin 2030 si një shtyllë e dytë e strategjisë”, shtoi ai.

Osmani tha se qëllimi është në një proces gjithëpërfshirës dhe transparent, në nivelin më të lartë të mundshëm akademik, ekspert, profesional dhe madje politik, të mbulohen tema që janë pjesë e përparësive të politikës së jashtme.

“Në fund, parashikova që ky proces të marrë formën e tij institucionale duke krijuar të ashtuquajturin Këshilli Strategjik i Politikës së Jashtme. Kjo është shtylla e tretë e strategjisë, një organ i përhershëm brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ky organ këshillimor do të jetë një lloj bordi qeverisës ku, nëse është e mundur: burimet më të mira, më profesionale dhe më me përvojë që ka vendi, do të vendosen në funksion të monitorimit, analizimit dhe transpozimit të drejtimeve politike dhe strategjike të vendit në politikën e jashtme”, theksoi Osmani.

Në njoftimin e ministrisë thuhet se strategjia e re dhjetë-vjeçare e politikës së jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut – Reflektimi 2030, duhet të përgatitet deri në fund të vitit dhe do të prezantohet dhe konsultohet me institucionet e tjera përgjegjëse për politikën e jashtme siç janë: presidenti, kryeministri, por dhe komitetet dhe këshillat kompetentë në Kuvend.