Gjatë ditës së sotme u mbajt mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ku foli kryetari i kësaj partie Albin Kurti.
Ai kritikoi deputetët e PSD-së se kanë shkuar në prehër të Hashim Thaçit pas largimit nga LVV.
Nuk ka vonuar shumë reagimi i deputetit të PSD-së Dardan Molliqaj, transmeton Indeksonline.
Përmes një postimi në Facebook ai i ka quajtur partinë LVV si grup i falltorëve të dobët dhe se LVV kanë mbetur mbrapa dhe ju ka ndalë ora.
Po ashtu Molliqaj përmendi deklaratat që Kurti i kishte bërë në të kaluarën në drejtim të PSD-së.
Ndërsa për komentet se PSD do të hyjë në qeveri, Molliqaj tha se i vjen keq që do t’i zhgënjejnë pasi që jo vetëm që nuk do të futen por do të angazhohen vazhdimisht ta largojnë nga pushteti PDK-së.
Më poshtë e gjeni postimin e plotë të Dardan Molliqaj:
Fillimisht, grupi i falltorëve të dobët thanë se ne u larguam sepse ishim spiun të Stanishiqit.
Pastaj thanë se ne u larguam sepse na kishin blerë Devollët.
Më vonë thanë se arsyeja e largimit tonë ishte ndikimi i ambasadeve ndërkombëtare.
Dikur thanë se ne u larguam për ta votuar demarkacionin me Malin e Zi.
Pastaj “zbuluan” se ne u larguam për shkak se ishim të interesuar për tu futur në Qeveri.
Pak më vonë thanë se në fakt arsyeja e largimit tonë qenka falja e tokave Serbisë.
E sot e paskan “zbuluar” se kemi dalur për të përfunduar në prehër të PDK-së.
Kushedi se cfarë zbulime e parashikime do të dalin tash e tutje nga grupi i falltorëve të dobët. Por, ajo që dihet është që kësaj partie iu ka ndalur ora qysh kur ne jemi larguar nga aty. Vazhdimisht thonë se jemi pak aktivistë, të vegjël e të parëndësishëm, por vihen shumë në siklet nëse kalon vetëm një ditë pa shpifur për neve.
E ne fatkeqësisht do t’i zhgënjejmë. Përveq se nuk do të futemi në këtë Qeveri, do të angazhohemi vazhdimisht që PDK-në ta largojmë nga pushteti pas kaq shumë vitesh keqqeverisje. Ju vazhdoni të qitni fall, se pavarësisht që parashikimet i keni të dobëta, ndoshta me kalimin e kohës përmirësoheni në këtë fushë.