Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka pritur të mërkurën në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett.

Ministri Mehaj ka theksuar mirënjohjen e thellë për SHBA-në në mbështetjen e pazëvendësueshme për Kosovën dhe në ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e gjithmbarshëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Në komunikatën për media nga Ministria e Mbrojtjes thuhet se ministri Mehaj, në vazhdim e njoftoi ambasadorin Kosnett edhe me objektivat kryesore të tij duke shprehur vullnetin për realizimin e tyre në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me SHBA-në dhe vendet tjera partnere. Ai theksoi se FSK është dhe do të jetë forcë profesionale me vlera dhe standarde të vendeve të NATO-s nën kontrollin civil demokratik dhe gjithnjë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim dhe në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe më gjerë.

Poashtu ambasadori Kosnett, premtoi se SHBA, përmes bashkëpunimit me Armatën e SHBA-ve, Gardën Kombëtare të Ajovës, dhe programeve tjera, sikur edhe deri më tash, do të vazhdojë partneritetin me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në. Në fund, të dy ishin të një qëndrimi që të intensifikohet edhe më tej bashkëpunimi bilateral në mes dy vendeve partnere në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.