Përderisa Franca kritikohet se është “indiferente” ndaj kushteve të këqija të migrantëve të parregullt dhe për mos marrjen e masave adekuate, migrantët e parregullt të braktisur në fatin e tyre në qytetin e Calais po luftojnë për mbijetesë.

Kampi i migrantëve “Jungle” në Calais ku qëndronin rreth 8.000 migrantë të parregullt u shpërbë në vitin 2016. Por, një pjesë e migrantëve të parregullt që u dërguan në qendra të ndryshme pas vendimit të qeverisë për prishjen e kampit, u kthyen në Calais për arsye të kushteve të pafavorshme dhe kapacitetit të pamjaftueshëm.

Franca e cila në arenën ndërkombëtare mbron demokracinë dhe të drejtat e njeriut, kritikohet nga organizatat joqeveritare në vend për ndërmarrjen e hapave të pamjaftueshëm në lidhje me kushtet e këqija me të cilat përballen migrantët e parregullt dhe për “indiferencën” ndaj problemeve të tyre.

Në Calais aktualisht ndodhen rreth 800 migrantë të parregullta shumica e të cilëve sudanezë dhe afganë. Migrantët e parregullt jetojnë në zonat e gjelbra në pika të ndryshme jashtë qendrës së qytetit, me mungesë të nevojave themelore njerëzore si akomodim, tualet, banjo dhe ushqim.

Ata me ushqimin që u sigurohet nga organizatat joqeveritare në qytet mezi mund të ushqehen. Duart dhe fytyrën i lajnë me ujin e lumit. Disa prej tyre edhe marrin abdes dhe falen.

Shpresa e vetme e migrantëve të parregullt këtu është të shkojnë në Britani të Madhe, ku ata mendojnë se mund të jetojnë në kushte më të mira. Pritja e shqetësuar dhe e dëshpëruar e migrantëve mund të shihet në fytyrat e tyre.

Disa nga migrantët e parregullt në Calais gjithashtu qëndrojnë në çadra të improvizuara nën urë në qendër të qytetit. Duke folur për Anadolu Agency (AA), dëshmitarët okularë thanë se policia vjen këtu pothuajse çdo ditë për t’i larguar migrantët dhe ndërhyn herë pas here me gaz lotsjellës.

Migrantët e parregullt, duke pasur shqetësim se shkuarja e tyre në Britani do të rrezikohej nëse vërehen nga zyrtarët francezë pasi të dalin para kamerës dhe mikrofonit, nuk deshën të prononcohen para kamerës.

“Zyrtarët nuk lejojnë të ngrinim çadër”

Sudanezi Ibrahim i cili pranoi të flasë para kamerës së AA-së, tregoi se atyre u ndihmohet në aspektin e ushqimit dhe pijes por se kanë problem në lidhje me akomodimin.

“Zyrtarët nuk lejojnë të ngrinim çadër, Madje, me borë dhe shi gjendja përkeqësohet edhe më shumë. Nuk jemi të mësuar me këto kushte të motit, nuk është si në Afrikë”, tha ai.

Ndërsa sudanezi tjetër Haliti thotë se përjetojnë vështirësi për shkak të shiut dhe motit të ftohtë.

Pierre Rocque, koordinatori i organizatës joqeveritare “Utopia 56”, në deklaratën për AA tha se si shoqatë u ndihmojnë migrantëve të parregullt si dhe merren me problemet e tyre shëndetësore.

Ai tha se në Calais dhe përreth ndodhen rreth 800 migrantë të parregullt.

“Gjendja e tyre është tepër dramatike. Jetojnë në kampe të përkohshme. Këto kampe evakuohen nga policët në çdo 48 orë. Mund të konfiskohen ose vidhen gjërat e tyre personale. Policia ndonjëherë vjen i zgjon natën. Bëhet fjalë edhe për ngacmim fizik dhe psikologjik (ndaj migrantëve). Kohët e fundit kushtet e motit janë të këqija por kjo nuk parandalon policinë që t’i marrë çadrat e tyre”, u shpreh Rocque.

“Qeveria aktuale është armiku i migrantëve të parregullt”

Rocque pohon se qeveria franceze nuk punon aq sa ka nevojë në lidhje me migrantët e parregullt.

“Qeveria aktuale është armiku i migrantëve (të parregullt) dhe këtë e ka shndërruar në politikë”, tha ai.

Një koordinatore tjetër e “Utopia 56”, Siloe Medriane, potencoi se migrantët e parregullt jetojnë në kushte të papajtueshme me dinjitetin njerëzor.

“Qeveria aspak nuk e bën atë që është e duhur”, tha ajo duke shtuar se: “U braktisën nga qeveria. Ne si shoqatë mundohemi t’u ndihmojmë. Mangësitë që janë këtu ia dorëzojmë qeverisë”.

Ndërsa, koordinatorja e “Refugees Women’s Center”, një OJQ që punon në drejtim të migrantëve gra në qytetet Calais dhe Grand-Synthe, Elisa Gan tha se gjendja në Calais pas shpërbërjes së kampit “Jungle” në vitin 2016 nuk ka ndryshuar.