Rrëzimi i qeverisë së Albin Kurtit nuk ka kaluar pa u komentuar as nga mediat e huaja. Media vjeneze Standard, ka shkruar se rrëzimi i qeverisë Kurti është “sukses për Trump”, i cili përmes të dërguarit të tij special Richard Grenell, bindi klikën e vjetër të LDK-së për të rrëzuar qeverinë.

Grenell kërkon që sëbashku me Hashim Thaçin dhe Aleksandër Vucic të nënshkruajnë marrëveshjen mes Serbisë dhe Kosovës. E gjithë kjo, të paraqitet si “sukses” i politikës së jashtme të Trump në zgjedhjet e ardhshme amerikane, përcjell foldrejt.com.

Kundër kësaj marrëveshje jo-transparente është Kurti, i cili me gjasë e pagoi me postin e tij.

Eksperti austriak Florian Bieber, nga Universiteti i Gracit, thotë se “nuk është diçka e re përzierja e SHBA-së në politikën e brendshme të Kosovës. E re është, që SHBA qartë dhe shpesh publikisht flet kundër qeverisë dhe mbështet presidentin Thaçi.”

Poashtu, sipas Bieber, e reja në këtë mes është edhe përçarja mes BE dhe SHBA-së rreth të ardhmes së Kosovës. Kjo lidhet edhe me kërkesën e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe për të mos votuar mocionin.

Kjo i shkon përshtati Rusisë, e cila ka arritur të zbatojë platformën “përça dhe sundo” në politikat perëndimore mbi Ballkanin.

Thaçi i kapur nga Gjykata Speciale

Në fund media austriake flet për Thaçin, i cili paraqitet jashtë si “burri i amerikanëve”, megjithatë ai është i kapur nga Gjykata Speciale si pasojë e së kaluarës ushtarake.

“Nuk mund të hidhet poshtë, që ai të merr ftesë nga Gjykata Speciale në Haagë,” e përmbyll shkrimin media gjermanofone./Foldrejt.com