Media austriake: Kosova kishte status të pavarur brenda Jugosllavisë, Serbia përfitoi falë neglizhencës së diplomatëve të huaj

Eksperti austriak nga Graci, Joseph Marko, ka paralajmëruar se ndarja e Kosovës nuk është në dobi të Bashkimit Europian dhe as palëve të prekura. Ai këto komente i ka bërë për median austriake “Der Standard”.

“Një shkëmbim territoresh çdoherë shpie edhe në shkëmbim banorësh – dhe atë jo në mënyrë vullnetare. Kjo do jetë si shkëmbimi i banorëve mes Greqisë dhe Turqisë në 1923. Në 1996 poashtu serbët duheshin të largoheshin nga Sarajeva – dhe atë falë presioneve të serbo-boshnjakut Radovan Karagjiq,” thekson Marko, përcjell foldrejt.com.

Marko poashtu sqaron se zhvendosja me dhunë e popullatës në Kosovë mund të shpiente në aktpadi në Gjykatën e Strasburgut, pasi serbët e jugut me detyrim do humbnin pronat e tyre, kurse ngjashëm do vlente edhe për shqiptarët në veri të Kosovës. Një rast të ngjashëm kemi pasur në ndarjen e Qipros në vitet 70-ta.

Kutia e Pandorës

Më tej eksperti austriak kujton se shkëmbimi i territoreve do zhbënte edhe planin e Mahti Ahtisarit dhe kjo mund të shtyente edhe në tërheqjen e njohjeve – pasi shtetet që e kanë njohur Kosovën e kanë njohur në bazë të Kushtetutës së tanishme si shtet multikulturor.

Poashtu “ndarja e Kosovës ka rrezikun e efektit domino si në Tirolin Jugor të Italisë që banohet me shumicë austriakësh ose çfarë do thonin suedezët që janë shumicë në ishullin Aland? Çfarë do ndodhte me hungarezët në Rumani dhe çfarë me Bosnjën dhe Hercegovinën? Gjithçka do merrte kthesë, në rast se Kosova zbaton planin e shkëmbimit të territoreve”.

Për Putinit ky do ishte një sinjal se ai nuk ka gabuar kur ka aneksuar Krimenë dhe nëse në të ardhmen anekson edhe Luhansk dhe Donetzk me konceptin e “Rusisë së Re”. Ngjashëm vlen edhe për kufijtë mes Çekisë dhe Polonisë, por edhe me baskët e Francës dhe Spanjës.

Andaj Marko mendon se me këtë politikë do hapej Kutia e Pandorës dhe kritikon Johanes Hahn dhe Frederica Mogherini, që kanë lejuar një zhvillim të dialogut të fshehtë mes presidentëve Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuciq për ndarjen e Kosovës.

Kosova kishte status të pavarur në Jugosllavi

Serbia kujton se Kosova me Kushtetutën e 1974 ishte pjesë e pandarë e Serbisë, megjithatë nga 1991 udhëheqësia kosovare shpalli pavarësinë, pa qenë e ndaluar nga autoriteti i atëhershëm jugosllav. Pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, erdhi Kushtetuta e Kaçanikut në Kosovë.

Atëkohë ministri i jashtëm austriak Alois Mock mbështeste të drejtën e popullit të Kosovës dhe priste delegacionin e Kosovës si gjithë delegacionet tjera të huaja. Austria prej atëherë vendosi që Kosova ka një status të pavarur brenda Jugosllavisë dhe jo një autonomi brenda Serbisë. Për këtë, statusi i atëhershëm i Kosovës brenda ish Jugosllavisë është mjaft esencial edhe për çështjen e tanishme, përcjell foldrejt.com.

Megjithatë, diplomatët e SHBA dhe BE gjatë 1998 dhe 1999, Christoper Hill dhe Wolfgang Petritsch nuk e vunë në pikëpyetje pozitën e presidentit të atëhershëm serb Slobodan Milosheviq, duke menduar se Kosova ishte vetëm një pjesë e Serbisë.

“Kështu ndodhi edhe në vitin 1999, gjatë negociatave para Rambujes dhe patën pasoja të mëdha”, kujton juristi Marko. Ajo e bëri Serbinë të ndjehet e sigurt. Më në fund, pati një luftë.

Kaukazi Verior dhe Tibeti

Në fund Marko sqaron se Rusia dhe Kina vështirë se mund të pranonin një shkëmbim territoresh, pasi në “Federatën Ruse ka shumë frikë që me pretekstin e njëjtë mund të humbej edhe Kaukazi verior dhe nëse Kina njeh Kosovën, do kishte pasoja me Tibetin,” mendon ai./Foldrejt.com