Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins” si pasojë e pandemisë së koronavirusit (COVID-19) në SHBA kanë humbur jetën më shumë njerëz sesa amerikanë në Luftën e Dytë Botërore, shifër që kap rreth 420 mijë persona.

Edhe pse vlerësimet e viktimave ndryshojnë në disa burime, hulumtimi i Muzeut Kombëtar të Luftës së Dytë Botërore në shtetin e New Orleans-it zbulon se nga viti 1939-1945 rreth 418.500 amerikanë kanë humbur jetën gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pas regjistrimit të vdekjes së parë të lidhur me virusin në fillim të shkurtit të vitit 2020, SHBA kryeson listën me 400 mijë viktima brenda një viti. Vendi gjithsej ka regjistruar 25.1 milionë raste dhe 419.215 viktima, duke vazhduar të jetë vendi më i goditur nga pandemia.

Sipas të dhënave të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, gjithsej 21.848.655 njerëz kanë marrë vaksinën kundër COVID-19 të prodhuar nga Pfizer-BioNTech apo Moderna.

Ndërkohë, presidenti Joe Biden vazhdon të ndryshojë politikat e paraardhësit të tij Donald Trump pasi thuhet se të hënën ai do të rivendosë kufizimet e udhëtimit për qytetarë jo-amerikanë.

Udhëtarët që kanë qenë në Brazil, Irlandë, Mbretërinë e Bashkuar, pjesën më të madhe të Evropës dhe Afrikën e Jugut do të kufizohen, njoftoi CNN duke cituar një zyrtar të Shtëpisë së Bardhë.