Marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi sipas përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, është çështje muajsh e jo vitesh,nëse të dy palët janë konstruktive. Por sipas atyre që analizojnë zhvillimet politike në Kosovë diçka e tillë nuk pritet të ndodh në një periudhë të afërt kohore. Kërkesa e palës serbe që në Bruksel të diskutohet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe refuzimi i Qeverisë së Kosovës që të hapet kjo temë ka bërë që të ngecë procesi i dialogut.

Në fillim të javës, Josep Borrell, para ministrave të Jashtëm në Luksemburg, foli për procesin e dialogut Kosovë-Serbi të cilin e quajti kompleks.

“Unë personalisht besoj se arritja e marrëveshjes përfundimtare është çështje muajsh e jo vitesh, me kusht që të gjitha palët të angazhohen në mënyrë konstruktive. Ne nuk e shkruajmë paraprakisht se cila është zgjidhja. As nuk do të caktojmë afate artificiale për të përshpejtuar procesin. Ne mirëpresim të gjitha nismat në mbështetje të dialogut. Mirëpresim edhe angazhimin e SHBA-së, por është BE-ja ajo që e udhëheqë këtë proces”, tha Borrell.

Duke folur për ketë çështje, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë marrëveshja përfundimtare brenda javësh do të ishte e mundur nëse do të kishte një bashkëpunim më substancial në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, që sipas tij do të kishte presion më të madh.

Sipas tij, deklarata të tillë bëhen me qëllim të forcimit të rolit të tij brenda vet Bashkimit Evropian.

“Kjo ndoshta do të ishte më e mundur nëse do të kishim një imput dhe një bashkëpunim më substancial me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-së ku presioni i dy vendeve do të ishte më i madh dhe mënyra e strukturimit të argumenteve dhe arritjes deri të marrëveshja do të ishte ndoshta më e mirë dhe më gjithëpërfshirëse dhe më e pranueshme për të dyja palët, në këtë rast edhe për palën kosovare. Mendojmë se ky pretendim i Borrellit dhe kjo deklaratë e tij shërben edhe për ta fuqizuar pozitën e tij brenda Bashkimit Evropian duke marrë parasysh se është një detyrë e re për të dhe ne e shohim sikur që deshi t’u dëshmohej vendeve si Gjermania dhe Franca që janë vendet kryesore të bashkimit Evropian, që BE është duke bërë diçka për dialogun”, thotë ai.

Kosova dhe Serbia u rikthyen në tavolinën e bisedimeve tre muaj më parë ndërkohë tani procesi ka ngecur për shkak se pala serbe po insistonë në rihapjen e temës së Asociacionit, diçka që kryeministri Hoti, ka deklaruar që tashmë është çështje e mbyllur.

“Borrell ka thënë se marrëveshja Kosovë-Serbi është çështje muajsh nëse kemi konstruktivitet nga palët, por çfarë kontriktiviteti kërkohet nga pala kosovare, ai nuk na ka treguar. Ne themi se kjo marrëveshje përnjëmend është çështje muajsh, mbase javësh sikur Bashkimi Evropian, vet Brukseli dhe Beogradi zyrtar do të ishin kontruktiv, para se gjithash ta njohin vullnetin e shumicës së qytetarëve të Kosovës, shumicës absolute me çka Kosova duhet të jetë shtet sikur që është, me kufijtë sikur që i ka, me rregullim shoqëror, juridik të brendshëm sikur si e ka dhe gjërat do të ecin përpara dhe siguria në Ballkan larg më e mirë sesa që është tani”, thotë ai.

Gjithashtu, sipas Arbër Fetahut nga GLSP, Kosova dhe Serbia në dialog janë në pozicione të kundërta se çka dëshirojnë nga procesi.

“Përderisa Serbia nuk heq dorë nga implementimi i Asociacionit dhe në anën tjetër nuk kemi njohjen si kusht për implementim të Asociacionit apo për arritjen e një marrëveshje, mendoj që dialogu mund të shkojë në pafundësi apo të pezullohet dhe të kthehemi në një pikë të status quo”, shton ai.

Bashkimi Evropian ka rritur presionet lidhur me vazhdimin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshje finale.

Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit, Kosovë-Serbi, në vitin 2013

Dy vjet më vonë dy vendet kanë nënshkruar edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij por Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.