Maqedonia e Veriut ka vendosur që të furnizohet me 100 mijë vaksina ruse kundër koronavirusit, pas vendimit të mëhershëm për blerjen e 200 mijë vaksinave kineze.
Kryeministri maqedonas Zoran Zaev ka njoftuar se u ka dhënë institucioneve udhëzimet për kontraktimin e marrëveshjes së furnizimit me vaksina “Sputnik V”.
Vaksinimi kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi, në Maqedoninë e Veriut ka nisur më 17 shkurt, me dërgesën e parë të 4,680 vaksinave të kompanisë Pfizer si donacion nga Serbia.
Pjesa tjetër e tërë dërgesës prej 8,000 dozave nga Serbia pritet arrijë në Shkup javën e ardhshme. Kryeministri Zaev tha se deri në fund të këtij muaji qeveria pret përgjigje nga “Pfizer” për 800,000 dozat për të cilat janë zhvilluar bisedime me kompaninë amerikane.
Ndërkohë, 200,000 doza të vaksinave kineze pritet të mbërrijnë në fillim të muajit mars në këtë shtet.
Të parët që janë vaksinuar janë punonjësit shëndetësorë të Klinikës Infektive në Shkup, ndërsa më pas do të vaksinohen edhe klinikat tjera.
Maqedonia e Veriut të dielën ka regjistruar 16 viktima të reja me koronavirus, 254 të infektuar si dhe 151 të shëruar. Të dhënat bazohen në testimin e 2,160 mostrave.
Me COVID-19 janë të diagnostikuar më shumë se 99 mijë persona prej shpërthimit të pandemisë.
Prej tyre 3,063 persona kanë humbur jetën, rreth 90 mijë janë shëruar ndërsa mbi 6,700 raste janë ende aktive.