Në protestat e mbajtura në Shkup kundër vendimit gjyqësor për rastin “Monstra” u tensionua situata, ku protestuesit në disa raste u përplasën me forcat e policisë.
Protestuesit që kishin nisur marshimin nga parku i Çairit me qëllim të arrinin para objektit të qeverisë së vendit, u ndaluan nga kordoni i forcave policore që ishte vendosur para Qendrës Tregtare “Mavrovasja”, ku dhe ndodhën përleshjet midis protestuesve dhe forcave policore.
Bedri Hajdari, familjar i të dënuarve në rastin “Monstra”, në deklaratën e tij theksoi se të dënuarit në këtë rast janë të pafajshëm.
Menjëherë pas leximit të deklaratës, disa protestues filluan të gjuajnë vezë, gurë dhe gjësende të tjera të forta drejt forcave policore, ndërsa në disa raste erdhi edhe deri te konfrontimi fizik.
Gjatë intervenimit në përpjekje për t’i shpërndarë protestuesit, forcat policore përdorën edhe shok-bomba.
Pas konfrontimit në disa raste me policinë, protestuesit u shpërndanë.
Gjykata Penale në Shkup më 23 shkurt ka shpallur 3 dënime të përjetshme në rastin “Monstra” për veprën penale “terrorizëm”, dënime me burg prej 15 respektivisht 9 vjetësh për vepra penale “ndihmë autorit të një vepre penale”, ndërsa liroi njërin nga të akuzuarit.
Më 24 nëntor 2017, Gjykata e Lartë vendosi që rasti “Monstra” të rihapet dhe të dënuarit të lirohen nga burgu nën masën e kujdesit.