Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave në Maqedoninë e Veriut, Apostoll Simovski apeloi deri tek të gjithë qytetarët që regjistrimin e popullsisë ta kuptojnë shumë seriozisht dhe se operacioni është në interes të të gjithë qytetarëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke theksuar se regjistrimi i popullsisë paraqet hulumtimin më të madh, më masiv dhe më të shtrenjtë statistikor, Simovski tha se në metodologjinë janë përshkruar të gjitha standardet e regjistrimit, teknikat e zbatimit dhe pjesëmarrësit në regjistrim.
Ai u përqendrua në karakteristikat themelore të regjistrimit, me ç’rast tha se me regjistrimin sigurohen të dhënat për njësitë më të vogla territoriale, periodiciteti i përcaktuar (në këtë rast 10 vjeçar), nënkupton universalitet, numërim individual dhe njëkohësi.
Duke theksuar se në opinion më së shumti është debatuar për çështjen që përbën popullsinë e përgjithshme rezidente, Simovski tha se me metodologjinë çështja është saktësuar.
Sipas tij, aplikimi për regjistrimin e shtetasve jashtë vendit është gati dhe do të jetë operacional nga 1 marsi. Ai tha se aplikacioni është maksimalisht i sigurt, asnjë person nga Maqedonia e Veriut nuk do të jetë në gjendje të përfshihet dhe se do të jetë e mundur të hyhet nga jashtë vendit me një procedurë të veçantë.
Lidhur me atë se në sa pyetje do të përgjigjen qytetarët, SImovski tha se kjo varet nga profili i personit dhe se do të pranohen vetëm pyetësorët e plotësuar tërësisht.
Simovski informoi se do të ketë të paktën 1.500 regjistrues, përfshirë një numër prej tyre si rezervë si dhe 50 komisione të regjistrimit.
Në pyetjen e gazetarëve, nëse është i mundur bojkotimi i regjistrimit meqë gjatë periudhës së fundit ka deklarata politike në këtë drejtim, Simovski tha se përdorimi i këtyre të dhënave është jashtëzakonisht i rëndësishëm në krijimin e politikave në interes të qytetarëve.
“Apelojmë tek të gjithë qytetarët që ta marrin këtë operacion shumë seriozisht. Ky është një operacion që është në interes të të gjithë qytetarëve, prandaj përdorimi i këtyre të dhënave është jashtëzakonisht i rëndësishëm në krijimin e politikave në interes të qytetarëve”, tha Simovski, duke shtuar se qytetari mund të humbasë vetëm nëse refuzon të sigurojë të dhëna.
Qëllimi kryesor i regjistrimit do të jetë përcaktimi i numrit të popullsisë dhe shpërndarja e saj territoriale dhe marrja e të dhënave për karakteristikat vitale, arsimore, ekonomike, etnike, migratore dhe karakteristikat e tjera të popullsisë.
Regjistrimi duhet të zbatohet prej 1 deri më 21 prill të këtij viti. Aplikacioni elektronik me të cilin kryhet regjistrimi funksionon në shtatë gjuhë: maqedonase, shqipe, turke, rome, vllahe, serbe dhe boshnjake.
Regjistrimi i parë në vend është mbajtur në vitin 1948. Deri tani janë zbatuar 8 regjistrime, ndërsa i fundit në vitin 2002, sipas të cilit numri i banorëve ishte 2.022.547. Në vitin 2011 filloi regjistrimi i popullsisë, por u ndërpre, pasi anëtarët e Komisionit për regjistrim dhanë dorëheqje kolektive dhe të parevokueshme.