Lajmi i ‘Mijëvjeçarit’: Greqia ratifikon Marrëveshjen e Prespës, së shpejti Maqedonia Veriore pjesë e NATO

Pas një kontesti shumë vjeçar mes Shkupit dhe Athinës, konkretisht nga 1991, parlamenti grek pas 38.5 orë diskutim sot ka votuar me një shumicë të thjeshtë ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës – 153 vota për nga 300 vota të përgjithshme.

Deputetët që votuan për ishin ato të Syriza dhe disa deputetë të pavarur dhe të majtë. Marrëveshje u kundërshtuar nga opozitarja ND, e cila sipas anketave është 15 pikë përpara Syriza.

Marrëveshja e Prespës që është mbështetur fuqishëm nga Perëndimi dhe kundërshtuar nga Rusia, i hap rrugën e integrimit euro-atlantik Maqedonisë. Kryeministri Aleksis Cipras gjeti guximin për t’i shkuar deri në fund përfundimit të kontestit përkundër protestave të dhunshme me plagosjen e sëpaku 30 policëve grekë, bllokimit të metrove dhe rrugëve në Athinë dhe rrezikimit të pushtetit, shkruan foldrejt.com.

Historia e shkurtër e kontestit

Territori i Maqedonisë është bërë i famshëm gjatë kohës së perandorit Aleksandër i Madh. Një territor që kishte pjesën veriore të bregdetit të Egjeut – me rritjen e nacionalizmit në fund të shekullit të XIX-të ky territor kërkohej të përvetësohej nga bullgarët, serbët dhe grekët. Andaj Porta e Lartë e Stambollit ndaloi përdorimin e termit “Maqedoni” dhe në vend të saj të përdorej termi “Rumeli”.

Pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane vetëm grekët e ruajtën termin Maqedoni për rajonin e saj verior, kurse bullgarët dhe serbët i emëruan ndryshe terrenet e tyre – Pirini dhe Serbia Jugore gjegjësisht.

Por, Titoja pas Luftës së Dytë Botërore themeloi republikën e gjashtë jugosllave po me këtë emër. Prej atëherë grekët kishin frikë nga irredentizmi jugosllav, që tani shfaqet edhe te Marrëveshja e Prespës – që paraprakisht solli edhe ndryshimet kushtetuese në kuvendin e Shkupit.

Historia nuk do ia falë kurrë Gruevskit dhe politikës destruktive të OBRM

Në vitin 2004, në kuadër të euro-integrimeve, Maqedonia ishte kandidate për t’u anëtarësuar në BE. Atëkohë Maqedonia ishte krahas Kroacisë në rrugën e euro-integrimeve. Rruga e Maqedonisë në BE do vijonte fuqishëm dhe së shpejti do nënshkruhej edhe marrëveshja e Stabilizim Asocimit.

Por në zgjedhjet parlamentare 2006 në pushtet erdhën konservatorët e OBRM-PDUKM të Nikola Gruevskit. Këto të fundit bënë kthesën e Maqedonisë nga integrimi në BE, për t’u afruar me Rusinë. Mohuan çdo lloj marrëveshje me Greqinë me pretekstin popullist se emri i shtetit nuk ndryshohet.

Maqedonia jo vetëm që ndryshoi emrin, por edhe Kushtetutën me ndihmën e disa deputetëve të OBRM-PDUKM. Mjafton që kjo lëvizje e kryeministrit Zoran Zaev të ndodhte në 2005-2007 dhe sot (sipas gjitha gjasave) do ishim në BE. Dikur konkurronim sëbashku me Kroacinë, kurse sot rruga europiane është e paqartë. Sipas medias austriake “Der Standard”, Maqedonia me ndryshimin e emrit mund t’i gëzohet vetëm integrimit në NATO, sepse Franca kundërshton çfarëdolloj zgjerimi të BE-së.

Treni për në BE na (pas)ka ikur…./Foldrejt.com