Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla, e ka konsideruar ‘skandaloz’ vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës për shtesat prej 300 eurove për punonjësit shëndetësor që janë marrë me trajtimin e pacientëve me Covid-19.
“Ky është mashtrimi i radhës nga kryeministri Hoti ndaj punonjësve shëndetësor, nuk ka të bëjë fare me atë çfarë kemi kërkuar ne. Ne kemi kërkuar që shtesat prej 300 eurove që janë paguar në muajt mars dhe prill, të vazhdojnë edhe për muajt me radhë, ndërsa sot është marrë vendim për pagesën e këtyre shtesave për muajt korrik dhe gusht, ndërsa nuk janë përfshirë muaji maj dhe qershor”, ka thënë Syla në një prononcim për Portali.info.
Ai ka thënë se kjo nuk do të kalojë pa reagime, ani pse është një ndihmesë për stafin shëndetësor.
“Vendimi është skandaloz dhe është një mashtrim, andaj edhe nuk do të kalojë pa reagime edhe pse është një ndihmesë për stafin shëndetësor, por nuk është ajo për çfarë kemi folur me kryeministrin Hoti”, ka thënë Syla.
Ai ka thënë se ka javë që janë duke pritur për një takim me kryeministrin Hoti, por deri më tani diçka e tillë nuk ka ndodhur. /PORTALI.info