Kryediplomatët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) kanë ra dakord për të vendosur sanksione ndaj zyrtarëve rusë lidhur me dënimin dhe arrestimin e figurës së opozitës ruse, Alexey Navalny.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, në një konferencë për media tha se kanë arritur “një marrëveshje politike për të vendosur masa kufizuese kundër atyre që janë përgjegjës për arrestimin, dënimin dhe persekutimin” e opozitarit Navalny.

Konsensusi i kryediplomatëve jep dritën jeshile për BE-në që të punojë në detajet e sakta dhe objektivat e masave kufizuese. Vendimi përfundimtar për sanksione do të merret më vonë me procedurë të shkruar.

Borrell tha se ai pret që sanksionet të miratohen brenda javës.