Krichbaum: Maqedonia e Veriut mund të shkëputet nga Shqipëria

Deputeti i grupimit të CDU/CSU gjermane Gunther Krichbaum, është shprehur për Deutche Welle, se Maqedonia e Veriut mund të merret në konsideratë nga Bashkimi Evropian por në mënyrë të pavarur nga Shqipëria

Erjon Dervishi

Gjermania mund ta shkëpusë Maqedoninë e Veriut nga Shqipëria. Ky është konstatimi që jep deputeti i njohur i Bundestagut gjerman, Gunther Krichbaum. Në intervistën e dhënë për Deutche Welle, Krichbaum shprehet për një mundësi shkëputje nga ana e Maqedonisë së Veriut kundrejt Shqipërisë. Ky vendim mund të merret bazuar në kriteret e plotësuara nga ana e Maqedonisë së Veriut dhe neglizhencës politika shqiptare i ka bërë çështjeve dhe kritereve më të rëndësishëm të kërkuara nga ana e Bashkimit Evropian. Intervista e Gunther Krichbaum merr spunto nga vizita që Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut pati në Berlin. Theksojmë se Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov qëndroi të enjten në Berlin ku diskutoi me parlamentarë gjermanë dhe ekspertë të ministrive gjermane dhe Fondacioni Körber, për Marrëveshjen e Prespës dhe reformat që po kryen rajoni. Vizita e tij në Berlin u zhvillua pak javë para se Bashkimi Evropian të marrë vendimin për fillimin ose jo të bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Intervista e Gunther Krichbaum për DW

Zoti Krichbaum, si kaloi takimi me ministrin maqedonas Dimitrov?

Unë pata një takim shumë të mirë informues me Ministrin e Jashtëm, Dimitrov. Ne e njohim njëri tjetrin prej vitesh dhe kohët e fundit kemi qenë në kontakt më të ngushtë. Tani që shtrohet pyetja a do të fillojnë bisedimet e pranimit me Maqedoninë Veriore apo jo, kjo pyetje nuk mund të ndahet edhe nga pyetja si do të shkojë puna me Shqipërinë. Ajo që mund të them unë është se në parlamentin gjerman, Bundestag, mendimi për Maqedoninë Veriore është shumë i mirë, Maqedonia Veriore ka imazh pozitiv në Gjermani. Unë mund të flas vetëm për parlamentin gjerman, jo për parlamentet e tjera evropiane, aq më pak për Bashkimin Evropian, por unë jam i bindur se në muajin tetor Këshilli do të marrë një vendim pozitiv për Maqedoninë Veriore.

Ju pra jeni i bindur se do të ndizet drita jeshile nga Bundestagu? Kur pritet të diskutohet për Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë, në fund të muajit shtator?

Unë mendoj se përpjekjet që po bën Maqedonia Veriore vlerësohen, sepse me Marrëveshjen e Prespës u arrit të zgjidhet një konflikt shumë vjeçar me Greqinë. Ky sukses vlerësohet. Por nuk duhet harruar që vazhdojnë të ekzistojnë sfida të mëdha përpara, si për shembull reforma e sistemit të drejtësisë, ose që ekonomia duhet të zhvillohet në mënyrë që të tërheqë investimet direkte. Dhe shumë fusha të tjera duhen zhvilluar sipër shembull liria e shtypit dhe gazetaria. Të gjitha këto janë fusha që dihen, dhe ku priten përparime. Ne nuk po flasim për pranim në BE këtë vit, por po flasim për fillimin e bisedimeve të pranimit. Ky do të jetë një proces i gjatë, ku duhet pasur shumë durim. Por rruga është e qartë, rrugë në drejtim të Bashkimit Evropian. Dhe meqenëse pyetët për segmentin kohor, ne do të zhvillojmë në fund të shtatorit diskutimet në Komisionin e parlamentar të Bundestagut që merret me çështjet evropiane, përkatësisht do të marrim vendimin në parlamentin gjerman dhe në muajin tetor do të merret vendimi përfundimtar.

Sa realiste është që nëse në Shqipëri vazhdojnë problemet procesi të zhvillohet i ndarë për Shqipërinë dhe Maqedoninë?

Siç thashë ne Bundestagun gjerman jemi duke u këshilluar edhe për Shqipërinë, dhe sa i përket pyetjes suaj për ndarje mund të them se që prej raundit të fundit të zgjerimit të BE, me 10 plus 2 shtete, më 2004 dhe 2007 është parë se është më mirë që vendet të vlerësohen sipas përparimeve që bëjnë vetë, me të ashtuquajturën “principle of own merit”. Prandaj vendet duhen gjykuar për përpjekjet që bëjnë. Për mua është e qartë se mund të bëhet shkëputja e dy vendeve, e megjithatë në fund mund të ndodhë që bisedimet të fillojnë në të njëjtën kohë për të dy vendet. Nuk po flasim për fillimin e bisedimeve për kapitujt e pranimit, se ky është hapi i dytë. Ky “principle of own merit”, është një princip i BE dhe secili vend vlerësohet për sukseset e veta.

Bodo Weber

Organizata e njohur me qendër në Berlin, Democract Policy Council, e cila analizon politikën gjermane për Ballkanin Perëndimor, ka bërë të ditur se Maqedonia e Veriut ka marrë më shuëm përkrahje nga ana e Bundestagut Gjerman për hapjen e negociatave. Weber tha se koalicioni qeverisës në Gjermani po shkon drejt marrëveshjes për këtë çështje. Weber, organizimi i të cilit ishte i pari që njoftoi se parlamenti gjerman do të shtyjë vendimin për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në qershor, beson se një mendim i përbashkët do të gjendet edhe midis Berlinit dhe Parisit, sepse lëvizje të guximshme të bëra nga qeveria e vendit duhet të marrë një reagim pozitiv. “Zgjidhja duket sikur do të ketë një bashkim të pjesshëm, me Maqedoninë Veriore e cila do të marrë një dritë jeshile të pakushtëzuar, dhe Shqipëria e cila do të marrë një dritë jeshile të kushtëzuar. Gjithashtu do të jenë një sërë kushtesh përpara fillimit të negociatave. Kjo është një lloj zgjidhje për rrugën e mesme ku të dy pjesët e një koalicioni qeverisës në Berlin mund të gjejnë një kompromis, thotë Weber.

‘Zgjidhja’

Demokratizimi i zgjedhjeve, rrugëdalja e vetme nga kriza

Pas takimit të djeshëm të kancelares gjermane Merkel me kryeministrin e Shqipërisë, zyra e saj njoftoi se: “Në fund të shtatorit, Bundestagu do të vendosë nëse Kancelarja Angela Merkel do të bjerë dakord për hapjen e negociatave me Shqipërinë në samitin e BE në mesin e tetorit’. Shpresat janë të pakta, sepse Gjermania ka vënë kushte për Shqipërinë si reformimi i Kodit Zgjedhor, funksionimi i sistemit të Drejtësisë, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndjekje penale ndaj gjyqtarëve e prokurorëve të dyshuar për lidhje me mafien; hetim lidhjeve të politikës me krimin si dhe ulja e kërkesave për azil. Këto barriera për ekzekutivin shqiptar, sipas mediave të lidhura me Partinë Socialdemokrate Gjermane aktualisht në pushtet me CDU/CSU, janë kaq të larta sa vonojnë me disa vite procesin e negociatave me Brukselin. Këto paralajmërime se Gjermania nuk do të pranojë hapjen e negociata pa kryer reformat i përforcon edhe letra që ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, i dërgon Bundestagut, ku propozohet vota pro për Shqipërinë, por duke renditur 6 kushte qe duhen plotësuar para çeljes se negociatave, ku më kryesorja është përmbyllja e reformës zgjedhore, pastaj Gjykata Kushtetuese, ndjekja penale e gjyqtarëve dhe e prokurorëve të shkarkuar nga Vettingu, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet apo progres në reformën administrative. Partia ‘Zgjidhja’ përshëndet mbështetjen e qeverisë dhe të deputetëve gjermanë për hapjen e negociatave me Shqipërinë nga BE më 18 tetor dhe vlerëson lart kushtet e vëna, veçanërisht atë për kryerjen e reformës zgjedhore. Ky kusht ishte vënë në krye që në progres-raportin e qershorit 2018, por u la në harresë qëllimisht nga partitë e vjetra në Tiranë dhe Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që ende nuk bën zgjedhje të lira dhe të barabarta. Ato nuk duan të demokratizojnë dhe reformojnë sistemin politik, kanë frikë nga reforma kushtetuese që u heq monopolin e administrimit të zgjedhjeve dhe të pushtetit. ‘Zgjidhja’ ka propozuar ‘Paktin Kombëtar’ dhe ‘Platformën e Lirisë’, ku kërkon reformë kushtetuese dhe zgjedhore, depolitizim të administratës zgjedhore dhe demokratizim e modernizim të partive politike përmes një procesi gjithëpërfshirës e konsensual. Kjo është rruga e vetme që duhet të ndjekë Shqipëria dhe jo paktet e fshehta mes PS-PD, që jo vetëm nuk do ta çojnë kurrë vendin në BE, por do ta izolojnë dhe shkatërrojnë edhe më shumë Shqipërinë dhe të ardhmen e saj.

Rama e ka të pamundur që të bindë Angela Merkel

Në prag të vendimit të Bundestagut gjerman për çeljen e negociatave me Shqipërinë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u raportoi të premten deputetëve të Komisionit të Bashkimit Evropian. Se çfarë u fol, në  takimet e kryeministrit Edi Rama me kancelaren Angela Merkel dhe  presidentin e Bundestagut, Wolfgang Schäuble këtë nuk e mësuam dot. Ato ishin konfidenciale. Por simpatia e tyre për kryeministrin shqiptar doli ne pah, kur te dy politikanet gjermane postuan në faqen e tyre të internetit nga një foto me dhuratën që u kishte sjellë kryeministri i Shqipërisë. Por në Komisionin e Bundestagut për Çështje të Bashkimit Evropian u fol për një libër tjetër: raportin e progresit të Komisionit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë, që u publikua në fund të majit, e ku, me gjithë rekomandimin për çeljen e negociatave të anëtarësimit, evidentohen një sërë sfidash që Shqipëria ka ende përpara. Edhe ky takim ishte me dyer të mbyllura, por sipas pjesëmarrësve, kryeministri shqiptar, iu përgjigj pyetjeve të deputetëve gjermanë për sfidat që rezultojnë nga vërejtjet e progresraportit. Për shumë deputetë të CDU/CSU-së shmangja e disa prej këtyre mangësive janë kushte, për çeljen e kapitujve të negociatave.

Reagimi i Kancelares gjermane

Kancelaria gjermane pas takimit të Angela Merkel me Kryeministrin Edi Rama shkruan se bisedimet mes tyre u përqendruan në marrëdhëniet bilaterale, por edhe në çështjet e politikës evropiane dhe çështjet rajonale. “Kancelarja Angela Merkel priti të premten kryeministrin shqiptar Edi Rama në Kancelarinë Federale. Bisedimet e saj u përqendruan në marrëdhëniet bilaterale, por edhe në çështjet e politikës evropiane dhe çështjet rajonale. Rama u prit nga Merkel me nderime ushtarake. Në fund të shtatorit, Bundestag do të vendosë nëse Kancelarja Angela Merkel do bjerë dakord për hapjen e negociatave me Shqipërinë në samitin e BE në mesin e tetorit,”-shkruhet në faqen zyrtare.