Në fund të muajit janar në Kosovë u konfirmuan tri raste me variantin e ri të Covid-19, prej 30 mostrave që ishin dërguar në Gjermani. Këto janë rastet e vetme të konfirmuara me këtë variant, por në Kosovë mund të ketë shumë të infektuar me këtë lloj e nuk dihet.
Kosova nuk ka aparatura të duhura për të konfirmuar variantin e ri të virusit Covid-19, i njohur si varianti anglez, e dërgimi i mostrave jashtë vendit po konsiderohet shumë i kushtueshëm, shkruan lajmi.net.
Laboranti i IKShPK-së, Florim Ahmeti, ka bërë të ditur se përveç skrecionimit që nuk bëhet në Kosovë, nuk ka ndonjë procedurë tjetër më të veçantë për identifikimin e variantit të ri të virusit Covid-19.
“Testimi është i njëjtë. I kemi marrë disa mostra të cilat kanë qenë pozitive dhe i kemi dërgu në Gjermani për sekrecionim, që ne për momentin nuk kemi mundësi ta bëjmë në laboratorët tona dhe kemi vërejt që shtami i ri ose variant i ri anglez është prezent edhe në Kosovë. Nuk ka diçka të posaçme për me testu këtë variant. Mostra vjen dhe testohet me këto kite që i kemi dhe del pozitiv ose negative. Nuk mundemi me identifiku dhe nuk e bëjmë atë test. Nuk mundemi me identifikua nëse është variant i ri apo jo. Mirëpo me këto teste ai testohet. Me ditë saktë duhet të bëhet sekrecionim, që ne për momentin nuk kemi mundësi ta bëjmë”, ka thënë ai.
Derisa vendet e rajonit kanë filluar të sigurojnë vaksinat kundër këtij virusi, ende nuk dihet se kur pritet që Kosova t’i sigurojë dozat e para, pavarësisht se ministri në detyrë i Shëndëtësisë, Armend Zemaj kishte deklaruar se kjo të ndodhë gjatë muajit shkurt.