Kosova dështon të anëtarësohet në Interpol

Diplomacia kosovare ka dëështuar të anëtarësohet në Interpol, pasi në të dyja votimet në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit në Dubai, nuk arriti të marrë dy të tretat e votave, shkruan foldrejt.com.

Në raundin e parë, për Kosovën votuan 76 shtete pro, 56 ishin kundër dhe 22 abstenuan; ndërsa në raundin e dytë 68 vota ishin pro, 51 kundër dhe 16 abstenuan.
Përveç Kosovës për pranimin në Interpol kishin konkurruar edhe dy shtete tjera: Kiribati dhe Ishujve Vanuatu.

Autoritetet kosovare kishin shfaqur shpresën se Kosova do të arrinte të anëtarësohej në organizatën ndërkombëtare të policisë, duke nënvizuar se Kosova i ka përmbushur kushtet në aspektin teknik, por duket se përpjekjet e Serbisë për ta parandaluar anëtarësimin kanë qenë më efikase.

“Fushata e egër e Republikës së Serbisë dëshmoi edhe njëherë karakterin e saj kundër Kosovës dhe kundër idesë për normalizim të raporteve me Republikën e Kosovës, për më shumë kur ky anëtarësim ishte teknik dhe jo politik”, thuhet në deklaratë. “Votimi kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare i shërben vetëm krimit dhe kriminelëve dhe askush nuk duhet t’i gëzohet këtij fakti”, vijon deklarata.

Kjo nuk është hera e parë që Kosova dështon të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare. Para dy vjetësh Kosova dështoi të anëtarësohet në UNESCO, kurse në INTERPOL dështoi të anëtarësohet edhe gjatë 2010 dhe 2015./Foldrejt.com