Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë ka dhënë vendimin përfundimtar për ish-shefin e ushtrisë serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, Ratko Mlladiq, i cili kishte apeluar dënimin për gjenocid ndaj tij.
Kjo gjykatë hodhi poshtë apelin e Mlladiqit dhe mbështeti dënimin me burgim të përjetshëm për rolin e tij në vrasjen e rreth tetë mijë burrave dhe djemve myslimanë boshnjakë në Srebrenicë, më 1995.
Mlladiq, ishte dënuar më 2017. Masakra, në një enklavë që supozohej të ishte nën mbrojtjen e KB-së, ishte mizoria më e rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Gjatë seancës, Mlladiq e quajti gjykatën ‘fëmijë të fuqive perëndimore’. Avokatët e tij argumentonin se ai ishte larg Srebrenicës kur ndodhi masakra.
Mlladiq, i njohur edhe si ‘Kasapi i Bosnjës’, ishte një nga të dyshuarit e fundit që u përballë me gjyqin e një gjykate ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.