“Jeta fillon në 50 vjet”: pse duhet të vizitoni më shpesh vendlindjen?

Në librin e një mjeku të huaj, të dëgjuar, me titull «Jeta fillon në 50 vjeç», autori shkruan se njerëzit, kur u kalon mosha, duhet të venë dendur në vendlindje, pse kjo ka lidhje me përmirësimin e shëndetit dhe me zgjatjen e jetës së tyre. Arsyeja që jep ky doktor është se trupi, kockat, truri, me një fjalë të gjitha organet e trupit janë mbrujtur, janë formuar e imprenjuar që në vegjëli me ajrin e thithur, me ujin e pirë e me lëndët ushqyese të tokës së lindjes. Te njeriu i rritur në një ambient të caktuar, në kontakt me njerëz dhe me shoqërinë që e rrethon, bashkë me ndjenjat, hallet, mjerimet dhe gëzimet e tyre, çdo qelizë e trupit është imprenjuar me të gjitha këto gjëra që i kanë dhënë vitalitet organizmit. Kur personi i kaluar nga mosha, vazhdon të arsyetojë ky doktor, kthehet në vendin e lindjes, qelizat e trupit të tij elektrizohen, pësojnë një «shok» nga rrezatimi i ambientit të kohës së vegjëlisë dhe gjallërohen e përtërihen. Njeriu e ndien këtu veten më të shkathët, më të lumtur, më të gëzuar dhe më të lehtë nga shëndeti, informon foldrejt.com.

Sa e vërtetë është kjo teori, sa vlerë shkencore ka, për këtë nuk mund të themi gjë, por mund të afirmojmë diçka që i jep të drejtë këtij mjeku. Kur shkoni vetë në vendlindje, ndjeni një gëzim të madh, e ndjeni veten ndryshe, ju duket sikur njerëzit i njihni të gjithë. Kur pyes ndonjë që nuk e njoh, se është i ri, i kujt është e nga ç’soj është dhe ai më përgjigjet, një mijë mendime e kujtime më mbulojnë, ndiej një kënaqësi të veçantë, pse më kujtohen njerëzit që kam njohur, jeta e tyre, më del përpara edhe diçka e vogël, e parëndësishme, po ta mendosh në vetvete, por që merr proporcione të mëdha. Malli nuk pakësohet, por më shtohet.

Sa shumë dua të shkoj në vendlindjen time, po punët nuk më lejojnë ta bëj këtë shpesh dhe, në pamundësi të vete dendur, këto udhëtime i bëj me kujtesë. Kështu rroj me vendlindjen time dhe me njerëzit e kohës së rinisë sime dhe ju siguroj se ndiej një çlodhje shpirtërore dhe fizike. Pas pune, në mbrëmje, shpesh rri mendoj dhe ndonjëherë pyes bashkëqytetarët e mi: «Si e quanin nënën e filan fistekut?». «Kush rrinte në atë shtëpi?». «Po në atë kthesë të rrugës?» etj.