Izraeli ndalon shpesh ezanin në Xhaminë e Ibrahimit, aty ku gjenden varret e profetëve

Autoritetet izraelite ndaluan 294 herë thirrjen e ezanit në gjysmën e parë të vitit 2019 në Xhaminë Haram al-Ibrahimi në qytetin El-Halil (Hebron) në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Ministria palestineze e Vakëfeve dhe Çështjeve Fetare tha në një deklaratë se ezani në këtë xhami është ndaluar 51 herë vetëm brenda muajit qershor dhe 294 herë në përgjithësi që nga fillimi i vitit, transmeton Agjencia Anadolu.

Në deklaratë theksohet se Izraeli cimenton praninë e saj brenda Xhamisë Haram al-Ibrahimi dhe ndalon ezanin me pretekstin e festave hebreje dhe se kolonët hebrenj kanë prerë pemët e ullirit në oborrin e faltores dhe kanë sulmuar zyrtarët e xhamisë.

Sipas një ndalese të vendosur nga Izraeli, në Haram al-Ibrahimi që nga viti 1994 ezani nuk thirret në namazin e akshamit dhe jacisë të premteve, në namazin e sabahut, drekës, ikindisë dhe akshamit të shtunave dhe në namazin e akshamit ditëve të tjera.

Krahas kësaj, Izraeli ndalon thirrjen islame edhe në ditë të tjera me pretekstin e festave hebreje.
– Nga masakra e vitit 1994, gjysma e xhamisë u shndërrua në sinagogë.

Në shpellën që ndodhet nën Xhaminë Haram al-Ibrahimi në El-Halil, krahas varrit të profetit Ibrahim dhe bashkëshortes së tij, gjenden edhe varret e profetëve Ishak, Jakub, Jusuf dhe bashkëshorteve të tyre.

Xhamia, e cila gjendet në Bregun Perëndimor të pushtuar nga viti 1967 nga Izraeli, u mbyll menjëherë pasi më 25 shkurt të vitit 1994 një hebre fanatik hapi zjarr mbi muslimanët që po falnin namazin e sabahut dhe pas hapjes, xhamia u nda dhe pjesa më e madhe iu dedikua hebrenjve.

Varret ku gjenden profeti Ishak dhe bashkëshortja ra në pjesën e muslimanëve, kurse pjesa tjetër iu nda hebrenjve, konkretisht në pjesën që u shndërrua në sinagogë.

Gjatë masakrës, e cila në histori njihet si “Masakra në Xhaminë e El Halilit”, u vranë 29 palestinezë dhe u plagosën mbi 150 të tjerë.

Pjesët e ndara të xhamisë hapen nga dhjetë ditë brenda vitit për vizita reciproke të muslimanëve dhe hebrenjve.

Në qytetin El-Halil, në veçanti përreth Xhamisë Haram al-Ibrahimi, shpesh ndodhin përplasje midis ushtarëve izraelitë dhe palestinezëve.