Intervenon policia, nuk lejohet ndeshja Cërvena Zvezda – Trepça në Mitrovicë

Policia e Kosovës i ka ndaluar futbollistët e ekipit serb “Crvena Zvezda” të futen në territorin e Republikës së Kosovës për të luajtur me klubin e jashtëligjshëm të futbollit “Trepça” nga Mitrovica Veriore.

Mediat serbe kanë publikuar video ku shihet një makinë private e menaxherit të klubit dhe një autobus i mbushur me lojtarë, të cilët detyrohen të kthehen mbrapsht, ende pa hyrë në kufirin nga pika e Jarinjes.

“Ne kemi një ndalim për të hyrë në territorin e Kosovës. Ne nuk e dimë arsyen, qeveria e Kosovës e ka ndaluar atë”, tha Zvezdan Terzic, drejtor i klubit “Crvena Zvezda”.

Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, u tha mediave vendore tha se kjo lojë nuk do të zhvillohet, ndërsa policia e Kosovës e ka vendimin për ndalimin e ndeshjes dhe duhet ta zbatojë.

“Ne e kemi marrë vendimin tonë, dhe tashmë dihet se nuk jemi te pajtimit që të luhet kjo ndeshje”, u shpreh Ademi.

Loja është dashur të zhvillohet në Zhitkovc, ku “Trepça” do të priste “Crvena Zvezdën” në të gjashtëmbëdhjetën e finales së Kupës së Serbisë.

Burime nga Koha Ditore thonë se njësitet speciale policore ROSU ishin në pikëkalimin Jarinje, porse janë tërhequr rreth orës 10, pasi futbollistët serb u tërhoqën.

Federata e Futbollit e Kosovës ka qenë kategorikisht kundër zhvillimit të kësaj ndeshje brenda territorit të Kosovës dhe ka lajmëruar institucionet përkatës për ndalimin e lojës. /Foldrejt/