Fisnik N. Muça, PhD 

Dëshira e çdo individi për të filluar një biznes ballafaqohet me një numër të madh të ideve, lista e të cilave është shumë e vështirë që të ngushtohet në një ide konkrete apo të ndërmerret ndonjë hap konkret për të nisur diçka, sidomos në qytetet e vogla dhe me numër të vogël banorësh. Një proverbë kineze thotë që “të hapesh një shitore(biznes) është diçka e lehtë, por ta mbash hapur paraqet art”. Pikërisht, afatgjatësia e biznesit do të varet edhe nga ajo se vallë ideja e biznesit ka qenë konkrete dhe në përputhje me nevojat e tregut.  Në tekstin në vazhdim do të gjeni disa nga idetë potenciale dhe premtuese për biznesin të cilin mund që ta nisni, sidomos në qytetet e vogla.

  1. Kafenetë dhe Baret

Kur shikoni që në lagjen apo qytetin tuaj ka kafene dhe bare, mendoni që edhe ju nuk duhet të nisni biznesin e njëjtë, sidomos që të kombinoni të dy idetë në një të vetme. Por nëse qyteti i juaj është i vogël dhe klientët e paktë, bashkimi i këtyre dy ideve të biznesit është ideali.  Sugjerimi rreth kësaj ideje nuk është që të hapet një bar në kuptimin e plotë të fjalës, por një kafene e cila pas orët e  pasdites mund të shërbejë edhe pije të tjera.  Gjithashtu sa i takon shërbimit të kafesë, është e pëlqyeshme që në “menynë” e kafesë të shtohen edhe lloje të tjera si : amerikane(që shërbehet në shumicën e dyqaneve të kafesë në SHBA), Caffe Latte, Iced Coffee(Kafeja e ftohtë me shije të ndryshme syrupi) , Affogato (kafe me akullore), etj.  Me këtë ide biznesi ofroni një vend ku biznesmenët, administratorët dhe ato që e pëlqejnë kafenë, të kalojnë kohën e pushimit të mëngjesit dhe drekës gjatë orarit të punës, kurse për pasdite është një mundësi e mirë për ata që dëshirojnë të relaksohen dhe të realizojnë takime joformale.

Nëse vendosni që të hapni kafene ose bar, atëherë duhet të keni parasysh disa faktorë dhe elemente të cilat i japin biznesit tuaj performancën e duhur. Fillimisht, cilësia e kafesë dhe produkteve të tjera të cilat do të ofrohen, duhet të jenë të pranueshme nga klientët dhe më të mirat të cilat ofrohen në treg. Përdorimi i animacioneve gjatë përgatitjes së llojeve të ndryshme të kafesë, është një trik i mirë i cili mund të përdoret për afrimin e konsumatorëve.  Një element tjetër është edhe dizajni që do të ketë kafeneja ose bari. Një dizajn i cili do të jetë i përshtatshëm edhe përgjatë ditës, edhe për orët e vonshme të mbrëmjes, do të ishte ideali. Si faktor apo element i tretë në këtë trajtim, është zgjedhja e lokacionit ku do të hapet kafeneja apo bari. Një vend i cili mund të frekuentohet lehtë nga nëpunësit gjatë orëve të ditës dhe nga pjesa tjetër e popullatës në orët e mbrëmjes, do të ishte i përshtatshmi për të realizuar këtë ide biznesi. Dhe si element i katërt por jo edhe i fundit që mund të integroni në biznesin tuaj, është një kombinim i kafenesë dhe vendit ku mund të ofrohen libra për të lexuar gjatë kohës kur shijohet kafeja. Duke marrur parasysh nevojat e konsumatorëve kohëve të fundit, në tavolinat e zgjedhura është e pëlqyeshme që të ketë priza për mbushjen e celularëve apo vend ku mund të konektoni laptopin tuaj.

  1. Butik për veshmbathje

Njëra nga nevojat që kanë konsumatorët e qyteteve të vogla, është edhe një vend ku mund të blihen veshmbathje të ndryshme. Kur flasim për butik për veshje, nuk nënkuptojmë vetëm se qendrat e mëdha tregtare, por edhe një butik që përmbush nevojat e komunitetit. Ata që jetojnë në qytete dhe komunitete më të vogla shpeshherë duhet që të bëjnë kilometrazh domethënës për të përmbushur nevojat themelore të veshjes. Kjo është edhe arsyeja që hapja e një butiku veshjesh, jo vetëm që do t’ju vendosë në hartë, por do të jetë edhe një destinacion “popullor” për shumicën e banorëve në afërsi. Një biznes i tillë duhet që të përmbush nevojat e të gjithë grupmoshave, sidomos ato që lidhen me të rinjtë. Gjithashtu duhet që butiku të sigurojë veshje të modave më të reja të cilat janë të pranishme në tregjet rajonale, por edhe ato botërore. Dy gjërat mjaft të rëndësishme q-ë biznesi të ketë jetëgjatësi janë: cilësia e produkteve dhe çmimet e arsyeshme. Sa i takon cilësisë së veshjeve të cilat ofrohen, është me rëndësi që të shitet ajo që në të vërtetë është, e jo emra firmash me produkte false. Çmimi duhet të jetë i pranueshëm nga konsumatorët dhe të sillet rreth çmimit të tregut të po të njëjtit produkt në qendrat tregtare. Pra, nuk duhet shfrytëzuar mundësia që një produkt i cili mund të shitet lirë dhe me fitim të arsyeshëm, të shitet me një çmim shumë më të shtrenjtë sesa ai i tregut.