Hoti: Me rëndësi janë temat në dialogun me Serbinë, jo kush e udhëheq procesin

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se platforma që është dorëzuar në Kuvend për dialogun me Serbinë është e dobët dhe pa përmbajtje.

Hoti këtë deklaratë e bëri në konferencën e përjavshme të LDK-së.

Shefi i Grupit të LDK-së nuk bëri të ditur nëse do ta përkrahin platformën e qeverisë në dialogun me Serbinë, por sipas tij para të hënës do ta bisedojnë me grupin parlamentar për të dalë me një qëndrim.

Hoti  gjithashtu potencoi se kryeministri Haradinaj ka hequr dorë komplet nga dialogu me Serbinë.

“E dimë që partia e tij është e pesta me radhë dhe askush nuk e pyet për asgjë. Kryetari i PDK-së ka deklaruar që është i gatshëm që udhëheqjen e  dialogut t’ia kaloj LDK-së. Në fakt ky është dështim i pozitës kur i adresohet opozitës. Ne jemi të gatshëm të marrim përsipër këto procese por vetëm pasi të marrim mandatin nga qytetarët e vendit përmes votës së lirë. Ky koalicion ose duhet të marr përsipër procese të mëdha ose të mbahen zgjedhje në vend. Platforma që është dorëzuar në Kuvend është e dobët dhe pa përmbajtje. Në fakt kjo platformë prezanton varfërinë e vizionit politik dhe mungesën për tu përballur me agresionin e djeshëm, Serbinë. Në atë platformë duket se ne jemi agresorë për luftën që ka ndodhur në Kosovë. Mendojmë që në këto bisedime duhet të shkojmë krenar si popull që kem luftuar për lirinë tonë e jo si bashkë fajtorë për luftën që ka ndodhur në Kosovë. Në si opozitë do themi fjalën tonë në kuvend si opozitë duke kryer rolin e gardianit të shtetit”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se është për keqardhje që gjithçka është reduktuar në besueshmërinë e një personi.

“Tema se kush duhet t’i udhëheq bisedimet nuk është tema më e rëndësishme për këtë proces të dialogut. Ne dëshirojmë të dakordohemi për formatin e këtij dialogu, për temat që duhet të diskutohen….”, tha ai.

Shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti po ashtu tha se dështimi i koalicionit qeverisës dhe mos koordinimi brenda kësaj qeverie janë shenja të qarta se vendi ka nevojë për ndryshim thelbësor në qeverisje.

“Nga qeveria e vendit nuk ka asnjë debat për çështje vitale të vendit. Qeveria është shpartalluar në disa pjesë. Secila parti në koalicion punon për hesap të vet, përfshirë dhe partinë e kryeministrit.  Gjendja në shëndetësi është përkeqësuar… Në politikën e jashtme jemi totalisht në defanziv. Nuk bëhet fjalë për njohje të reja dhe krejt diplomacia është koncentruar në parandalimin e heqjes së njohjeve. Krejt trupi diplomatik i Kosovës është fokusuar në organizimin e ngjarjeve për të promovuar librin biografik të Thaçit, i cili për konsum vendor po transmetohet në televizionin publik të Kosovës. Me deputetët e Kuvendit të Kosovës jemi duke takuar vazhdimisht të rinj dhe të reja, dhe nga ato takime del që besimi në institucione kur nuk ka qenë më i ulte se që ka qenë deri tash…. Dy problemet kryesore për qytetarët janë: papunësia dhe korrupsioni të cilat nuk janë në agjendat e qeverisë së Kosovës”, tha Hoti ndër të tjera.

Ai  po ashtu tha se papunësia nuk zbutet duke punësuar zëvendësministra dhe koordinatorë dhe korrupsioni nuk luftohet kur katër zëvendësministra në detyrë kanë aktakuzë.