Horror në Britani të Madhe, gjendet një kamion me 39 viktima të panjohura

Britania e Madhe është tronditur sot nga një zbulim i 39 kufomave në një kamion që po qarkullonte në rajonin Essex. Shërbimet e emergjencës thanë se ngjarja u zbulua gjatë një kontrolli që u bë në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Policia ende nuk ka arritur ende të identifikojë shtetësinë e 39 viktimave të gjetur brenda një kamioni në jugperëndim të vendit, të cilët dyshohen se janë emigrantë. Pippa Mills, zv.Shefe e Policisë në Grays theksoi se të gjithë personat brenda në kamion kanë ndërruar jetë.

E pyetur nëse autoritetet kanë arritur të zbulojnë shtetësinë e viktimave, Mills tha se kjo ka qenë e pamundur, por Policia e ka vendosur prioritet kryesor identifikimin e trupave.

Policia e Essex deklaroi më herët se ka qenë shërbimi i ambulancës që e lajmëroi në orën 1:40 për një kamion të mbushur me njerëz, që qëndronte brenda parkut industrial të Waterglade. E pyetur se kush e ka njoftuar ambulancën, zyrtarja e policisë tha se nuk e kishte ende këtë informacion.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Bullgarisë ka deklaruar se Ambasada në Londër po bashkëpunon me autoritetet për ngjarjen, pasi kamioni besohet se ka mbërritur pikërisht nga shteti ballkanik.

Zona e Essex është populluar kryesisht nga emigrantë me prejardhje nga Bagladeshi, shtet në Azi, gjithsesi, autoritetet vendase nuk kanë dhënë asnjë detaj mbi shtetësinë e viktimave.