Italia, vendi i artit të Rilindjes, Romës së lashtë, monumenteve të mrekullueshme, kolosëve të mëdhenj të kulturës, por edhe e një ushqimi të famshëm, pica. Ngjyra, shija, aroma, përbërësit e bëjnë picën një nga gatimet më të dashura në botë. Nëse mendohet se pica filloi të përhapej si një fenomen global në shekullin e 20-të, në fakt, ajo e bëri udhëtimin e parë përtej oqeanit, e më larg, para 2000 vjetësh.
Rreth historikut dhe zanafillës së saj, studiuesit mendojnë se koncepti i përafërt me picën ka qenë i njohur që në kohën e grekëve të lashtë, por në një formë më të thjeshtë të saj, të quajtur “pissa” ose “pita”, çka në fakt mendohet të ketë ekzistuar në të gjithë Mesdheun. Pra, “pissa” antike ishte bukë, herë e skuqur dhe herë e pjekur, ndoshta edhe me erëza mbi të.

Ushqimi u shfaq më pas si “pizza” rreth vitit 997 e.r. Një dokument i gjetur në veri të Napolit tregon ndodhinë interesante se si një qiradhënës, premtoi t’i paguante pronarit të shtëpisë qiranë përmes mishit të derrit dhe picës. Ndërsa në shekullin e 18-të, pica nisi të përhapej masivisht si një “ushqim rruge” dhe vizitorët në qytet filluan të flisnin për të. Mes njerëzve të famshëm të kohës, shkrimtarë, sundimtarë, kishte nga ata që e urrenin këtë ushqim dhe të tjerë që e donin shumë.