Ministri i Financave Bedri Hamza mori pjesë në Konferencën “Transparenca dhe Llogaridhënia për Fondet Publike” e organizuar nga Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Zyrën e BE-së në Kosovë ku u bë publik Raporti për mbështetjen financiare për organizatat joqeveritare për vitin 2018.
Në këtë konferencë morën pjesë, shefi i Seksionit për Bashkëpunim, Zyra e BE-së Luigi Brusa, drejtori Zyrës për qeverisja të mire pranë Kryeministrit Habit Hajredini si dhe perfaqësues të shoqërisë civile.
“Me synimin tonë për të ndërtuar një shoqëri demokratike e të zhvilluar, qeverisja gjithëpërfshirëse që i përgjigjet nevojave të qytetarëve pa marrë parasysh fuqinë e tij/saj të organizimit politik nuk është dëshirë, por domosdoshmëri. Por edhe Organizatat jo-qeveritare, që me definicion nuk mëtojnë përfitimin financiar, janë jetike për ndërtimin e mekanizmave të komunikimit dhe llogaridhënies në mes të qytetarit dhe të përzgjedhurit të tij” tha Ministri Hamza.
Ministri i Financave Bedri Hamza në fjalën e tij theksoi se financimi i kujdesshëm dhe përgjegjshëm i OJQ-ve nuk është subvencionim i këtyre organizatave, por investim në qeverisje më të mirë dhe në shoqëri më të hapur e të zhvilluar. Ndërsa Ministria e Financave si gardiane e financave publike, ka për detyrë kryesore parandalimin e përdorimit të kauzave të mira për justifikimin e veprimeve që nuk përkojnë me to.
Ai gjithashtu tha se burimi i financimit të qeverive është mundi dhe djersa e qytetarëve punonjës dhe punëdhënës. Prandaj, duke respektuar këtë Qeveria mund të krijojë vlerë vetëm nëse bën rishpërndarje tek qytetarët ose organizatat që dukshëm ndikojnë në zhvillimin shoqëror, në të kundërtën Qeveria konsumon dhe redukton vlerë.
Ndërsa sa i përket Raportit për financimin publik të OJQ-ve për vitin 2018, Ministri Hamza tha se ky raport është tejet i rëndësishëm, ku përmes tij krijohet informacion i cili i mundëson Qeverisë që të sigurojë efektivitet në rishpërndarje, duke mundësuar mbështetje tek ato OJQ që krijojnë vlerë për shoqërinë, që i qëndrojnë besnik parimeve të jo-profitabilitetit dhe bëhen katalizator të përmirësimit të qeverisjes.
Ministri Hamza gjithashtu theksoi se duke u nisur nga përvoja jonë me Portalin e Transparencës Buxhetore, dëshiroj të ju inkurajoj që informatat nga raporti, por edhe mundësitë tjera për rritje të transparencës, t’i digjitalizoni dhe ofroni për analizë nga publiku. Në këtë drejtim ofroj mbështetjen e plotë të Ministrisë.
“Siç jeni të njoftuar, Ministria ka krijuar një rregullore që vendos kushtet dhe kriteret për planifikim dhe implementim sistematik të financimit publik të OJQ-ve. Besoj se ka ende vend për përmirësim në këtë rregullativë nga të dyja anët. Por një gjë është e qartë: financimi i mbështetjes duhet të bëhet me planifikim transparent dhe të parashikueshëm në procesin buxhetor, duhet ti nënshtrohet rregullave që garantojnë trajtim të barabartë dhe duhet të implementohet vetëm nga institucione të specializuara për sektorë të caktuar dhe se mbështetja nuk mund të ofrohet nga çdo institucion qeveritar apo komunal. Përgjigja ad-hoc ndaj kërkesave për mbështetje jashtë procesit buxhetor, dhe pa respektuar rregullativën duhet të mbetet pjesë e së kaluarës”, shtoi Ministri Hamza.