Gjermania e Merkelit në vendin e dytë për ndihma humanitare, kryesisht i shpërndan te vendet arabe

Qeveria e Gjermanisë po jep gjithmonë e më shumë para për projektet humanitare. Gjatë vitit të kaluar janë shpërndarë 1.8 miliardë euro nga buxheti i Gjermanisë për ndihma ndaj vendeve të treta. Kjo shumë është më e madhe se e çdo vendi tjetër botëror pas SHBA-së, shkruan FAZ, e cila disponon dokumentin zyrtar. Ndihmat humanitare nga Gjermania drejt botës janë trefishuar në vitet e fundit.

“Në katër vitet e fundit Gjermania ka mbështetur organizatat humanitare në kuadër të Kombeve të Bashkuara, lëvizjet e Kryqit të Kuq ose iniciativat e shoqërisë civile me rreth katër miliardë dollarë. Rritje e madhe vërehet në vitet e valës së refugjatëve 2016 dhe 2017. Nëse në 2014 qeveria gjermane shpërndau 416 milion euro, në 2017 kjo shifër shkoi në 1,76 miliardë euro,” përcjell ekskluzivisht në shqip foldrejt.com.

Ndihmat humanitare gjermane kanë pasur si fokus vendet në krizë luftrash ose të prekur nga fatkeqësitë natyrore. Në Jemen, Irak, Sudanin Jugor dhe Siri paratë gjermane janë adresuar në higjienë, shëndetësi dhe ushqimin e të prekurve.

Tre të katërtat e parave gjermane janë dërguar në organizatën e Kombeve të Bashkuara, kryesisht për programin e ushqyerjes, punës me refugjatë në UNHCR dhe ndihmën për Palestinën. Çereku i mbetur i është dërguar Kryqit të Kuq ose Gjysmëhënës së Kuqe, si dhe organizatave joqeveritare.