I nominuari për kryeministër nga LDK’ja, Avdullah Hoti sot është pyetur nga gazetarët për kreun e AKR’së, Behgjet Pacollin, shkruan Gazeta Express.
Hoti ka deklaruar se nuk e dinë sigurt se ku është Pacolli, mirëpo, ka shtuar se me të do të bashkëpunojnë për qeverinë e re.
“Sot po presim që të përmbyllen marrëveshjet me paritë tjera. Nuk e dimë saktë ku është z.Pacolli, po AKR siç kam thënë dje do të jetë pjesë”, ka deklaruar Hoti, i pyetur nga mediat.
Dje gjatë ditës, kreu i AKR’së, Behgjet Pacolli është paralajmëruar se nëse do të tentojë të hyjë në Kosovë, do të futet në karantinë në konvikte për dy javë.
Për të njëjtin momentalisht po raportohet se është kthyer në vend, pas vizitës që mbrëmë iu është bërë në Tiranë nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi.
Këshilltari i Pacollit tha se nuk kanë diskutuar me asnjë parti për poste. Në anën tjetër në marrëveshjen e nënshkruar LDK – AAK, përmendet edhe AKR’ja si partnere.
Vetë Pacolli nuk është deklaruar sot gjatë ditës ende për këtë çështje.