Forca e Sigurisë Kosovës do të marrë pjesë në stërvitjen e koduar “Defender Europe 21” që do të zhvillohet në Shqipëri më 26 prill – 20 qershor 2021.
Si forcë aleate e NATO-s, Forcat e Sigurisë Kosovës do të jenë pjesë përbërëse e 3 mijë e 100 trupave pjesëmarrëse në stërvitje, krah atyre të SHBA-së, Kanadasë, Britanisë Madhe, Turqisë, Rumanisë, Greqisë, Bullgarisë, Çekisë, Hungarisë, Kroacisë, Maqedonisë Veriut, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës e Gjeorgjisë.
Zhvillimi i stërvitjes dhe pjesëmarrja e një numri të madh trupash ushtarake në këtë stërvitje do të rrisin bashkëpunimin ndërmjet vendeve.
Kjo stërvitje zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit me palën amerikane.
Komanda e Ushtrisë Amerikane në Evropë po planifikon të dislokojë në Shqipëri përafërsisht 3100 efektivë për zhvillimin e stërvitjeve të sipërpërmendura.
Meqenëse në stërvitje do të marrin pjesë 3100 trupa ushtarake, është në kompetencë të Kuvendit marrja e vendimit për zhvillimin e stërvitjes.
Në nenin 5 përcaktohet numri i trupave ushtarake dhe i mjeteve që do të përdoren në stërvitje. Në këtë stërvitje do të angazhohen 3100 trupa ushtarake të vendeve aleate, 10 anije, 18 avionë, 19 helikopterë, 6 sisteme raketash patriot dhe 1000 automjete joluftarake, të cilat kryejnë lëvizje gjatë 24 orëve në rajonin e përcaktuar të stërvitjes, sipas nenit 4, të këtij ligji.
Miratimi i këtij projektligji nuk cenon asnjë dispozitë të kuadrit ligjor të Republikës së Shqipërisë.