Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” në Tv Klan ka treguar përse ka firmosur sot një marrëveshje me Partinë Demokratike dhe koalicionin opozitar.

Kryemadhi tha se marrëveshja është “pjesë te të gjithë angazhimit tonë opozitar kundër qeverisë së Rilindjes dhe Edi Ramës”.

Më tej ajo u shpreh se me Partinë Demokratike është rakorduar për të gjithë strategjinë zgjedhore se si mund të arrihet që të rrëzohet qeveria e Edi Ramës. Për sa i përket ndarjes në lista, Kryemadhi tha se është bërë për të pasur sa më shumë përfaqësim nga të rinj dhe të reja në të dyja listat zgjedhore.

“Në PD ka shumë djem dhe vajza që duhet të jenë në lista, dhe shumë vajza dhe djem në LSI kanë të drejtë për të qenë në listë, dhe nëse do ishim në një listë të përbashkët shumë mund të mbështeteshin pa u përfaqësuar”, tha ajo.

Po ashtu ajo tha koalicioni është para dhe paszgjedhor. “Ky është një koalicion parazgjedhor dhe paszgjedhor, është një koalicion programor për të dy partitë”, shtoi kryetarja e LSI.

Sa i përket votave për qeverinë e ardhshme numri një i LSI tha se të gjitha do të jenë bashkë, pasi ky është koalicion i madh nga e majta në të djathtë.

“Sigurisht që jemi koalicion, jemi të gjithë bashkë. Jemi bashkë nga e majta në të djathtë. Ky koalicion vlen për qeverisjes, ka një harmonizim të programeve tona. Për taksën e sheshte ne e kemi thënë që jemi për 9%”, u shpreh më tej ajo.