Familja shqiptare ‘ngujohet’ mes Zvicrës dhe Austrisë, ka nevojë për mbështetje

Një ngarja e pazakontë ka ndodhur së fundi me një familje shqiptare nga Vjena e Austrisë. Në momentin që ata ishin duke udhëtuar drejt Zvicrës, janë ndaluar në kufirin mes Austrisë dhe Zvicrës dhe prej disa ditësh qëndrojnë aty. Ata po flejnë në veturë, shkruan blick.ch, përcjell foldrejt.com. Familja është shtatë anëtarëshe.

“Ne jemi në fund të fuqive tona”, thotë Kumrije K*. Dhe shpreson tek ndihma nga Zvicra. “Ata nuk na lënë të hyjmë në Zvicër”. Kumrija 32 vjeçe me bashkëshortin, Burimin* 37 vjeç, me katër fëmijët nga 3 deri 12 vjeçarë  dhe vjehrrën, janë të ngujuar në kufi.

Familja në të vërtetë i kishte punët mirë në Vjenë. Por “në janar gjeta një punë në një pompë benzine dhe një banesë në Kantonin Aargau. Isha shumë e lumtur”, rrëfen nëna e katër fëmijëve. Ajo vetë kishte shkuar të banonte që nga shkurti ndërkohë që bashkëshorti dhe pjesa tjetër e familjes kishte mbetur përkohësisht në Austri.

Në të njëjtën kohë, banesën në Vjenë ia kanë dorëzuar që nga 1 prilli një çifti gjerman kështu që familja, që nga ajo ditë ka ngelur në mes të rrugëve.

Pasi që të martën ia dorëzon çelësat qiraxhinjve të rinj, familja K. niset në drejtim të Zvicrës. Pas 12 orë rruge të lodhshme, në kufi i pret tronditja e madhe. “Policët na thanë se vetëm unë kam të drejtë të hy në Zvicër”, tregon Kumrija. Kjo, për faktin se ishte e vetmja që kishte vërtetim të qëndrimit në Zvicër.

E dëshpëruar, ajo u tregon policëve të gjitha pasaportat, dokumentet e banesës etj., por kot. “Ata vetëm tundnin kokën dhe na thoshin se duhet të kthehemi”.

Ndërkohë në Austri të gjitha hotelet ishin mbyllur dhe familja K. nuk kishte asnjë të afërm në këtë vend, përcjell albinfo.ch. “Pastaj, kush e merr në kohë të koronavirusit ta strehojë një familje kaq të madhe?” Askush. Për këtë arsye atyre u mbeti vetëm automobili për të kaluar natën. Ndërsa jashtë ishte shumë ftohtë, minus 6 gradë celsius, kujton Kumrija.

Të nesërmen Kumrija i telefonon Zyrës për Migracion të Zvicrës duke bërë lutje që ta lejojnë familjen e saj të hyjë në Zvicër. Por ata më thanë se për shkak të krizës së koronavirusit nuk japin më leje të hyrjes”, thotë ajo. Tash familja vijon të “jetojë” në veturë e parkuar pranë një pompe benzine.

Momentalisht në Zvicër mund të futen vetëm personat nga BE që kanë leje pune ose dëshmi për banim në Zvicër, të tjerët refuzohen për shkak të virusit Kovid19. Por në këto raste shpresojmë që përtej ligjit të fitojë ana humane./Foldrejt.com