Plani i Facebook për të unifikuar aplikacionet e tij të mesazheve ka filluar të marrë formë. 

Kompania do të fillojë përfshirjen e më shumë veçorive të Messenger në bisedën brenda aplikacionit të Instagram, përfshirë aftësinë për të dërguar mesazhe në të dy aplikacionet, shkruan Engadget.

Facebook filloi testimin e veçorive në fillim të kësaj vere, por tani thotë se synon ta sjellë atë për këdo që përdor Instagram Messenger në disa muajt e ardhshëm, transmeton Telegrafi.

Me ndryshimin, përdoruesve të Instagram do t’ju kërkohet të azhurnojnë në mënyrë që të marrin “një mënyrë të re për të dërguar mesazhe në Instagram”.

Nëse e bëjnë këtë, ata do të jenë në gjendje të arrijnë përdoruesit e Facebook-ut që nuk kanë llogari në Instagram nga aplikacioni Instagram. Po kështu, përdoruesit e Messenger do të jenë në gjendje të bisedojnë me miqtë që përdorin vetëm Instagram.

Gjatë një konferencë me gazetarët, përfaqësuesit e Facebook theksuan në mënyrë të përsëritur se azhurnimi nuk është bashkimi i llogarisë suaj të Facebook dhe Instagram, ose kombinimi i tyre.

Nëse përdorni të dy aplikacionet, përsëri do të jeni në gjendje të dërgoni dhe merrni mesazhe veç e veç.

Facebook gjithashtu po ju lejon të kontrolloni nëse doni ose jo përdoruesit që nuk kanë Instagram të jenë në gjendje t’ju dërgojnë mesazhe në Instagram dhe nëse përdoruesit që nuk kanë Facebook mund të bisedojnë me ju në Messenger.

Ndryshimi vjen gjithashtu me disa azhurnime të tjera të mesazheve brenda aplikacioneve të Instagram-it, të cilat kanë mbetur shumë pas Messenger. Përdoruesit e Instagram do të jenë në gjendje të përcjellin mesazhe, të kenë reagime të ndryshme te ato. Përditësimi gjithashtu do të përmirësojë mjetet e Instagram për raportimin e ngacmimeve dhe sjelljeve të tjera të shkeljes së rregullave pasi Messenger ka mjete më të sofistikuara të raportimit.

Ndryshe nga Facebook, i cili kërkon që njerëzit të përdorin emrat e tyre të vërtetë, Instagram nuk ka një politikë të tillë. Dhe disa mund të mos dëshirojnë domosdoshmërisht që identiteti i tyre i vërtetë të lidhet me llogarinë e tyre në Instagram.

Lajmi i mirë është se e gjithë kjo është akoma opsionale – të paktën tani për tani. Megjithëse Facebook po e vë funksionin në dispozicion të përdoruesve të Instagram dhe Messenger, nuk po i detyron ata të kalojnë në “përvojën e re”.