Ekonomia amerikane humbi shumë vende pune në dhjetor, për herë të parë që nga prilli, e goditur rëndë nga kufizimet e udhëtimit dhe mbylljet e bareve dhe restoranteve për shkak të përhapjes së rasteve të shumta me COVID-19.
Shkalla e papunësisë mbeti në 6,7%, duke reflektuar një përkeqësim të shkallës së pjesëmarrjes në tregun e punës.
“Në muajin e fundit të 2020, në SHBA humbën 140 000 vende pune”, deklaroi Departamenti i Punës.
Megjithatë, ekonomistët presin që punësimi të rimëkëmbet në pranverë dhe veçanërisht gjatë verës.
Ata, gjithashtu, presin një plan të ri për mbështetjen e ekonomisë.
“Në dhjetor, humbjet e vendeve të punës në sektorin e kohës së lirë dhe mikpritjes, si edhe në arsimin privat, u kompensuan vetëm pjesërisht nga fitimet në shërbimet profesionale dhe të biznesit, në tregtinë me pakicë dhe ndërtim”, përmblodhi departamenti.
COVID-19 ka qenë në rritje në SHBA që nga vjeshta, duke detyruar shumë zyrtarë lokalë në të gjithë vendin të vendosin masa të reja në një përpjekje për të ngadalësuar përparimin e pandemisë.
SHBA ka ende 10,7 milionë të papunë, sipas shifrave zyrtare, përfshirë katër milionë të papunë afatgjatë (për më shumë se gjashtë muaj).