Editorial: A do mundet Merkel dhe Zvicra të ndalojnë ndarjen e Kosovës?

Në kohën kur shumica mendonin se në Kosovë ka ardhur një qeveri i shpresës, fillimet e marsit treguan se qeveria mes LDK-së dhe VV-së po shkonte drejt fundit, kjo edhe falë “pleqve” të LDK-së të cilët kanë marrëdhënie të ngushta me partitë e Krahut të Luftës. Këto të fundit sëbashku kanë shumicën e deputetëve në Kuvendin e Kosovës dhe të mjaftueshme për të marrë vendime të “mëdha”.

Pikërisht kjo i nevojitet edhe të dërguarit special amerikan dhe ish ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell, i cili, me shpejtësi kërkon një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, që do i shërbejë presidentit Donald Trump si sukses në politikën ndërkombëtare. Por këtu ai hasi në një problem, të quajtur Albin Kurti, i cili edhepse ishte i ftuar në Berlin përpara se të merrte postin e kryeministrit, duket se nuk e ka bindur për të pranuar një marrëveshje që parasheh ndarjen e Kosovës – e përpiluar dhe pranuar nga presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vucic.

Si do shkojë më tej?

I paduruar me veprimet e Kurtit, Grenell, në krizën më të madhe të virusit Covid19, dha urdhrat për t’u rrëzuar qeveria Kurti. Kjo sëpaku pranohet edhe nga media austriake Der Standard, e cila e njeh mjaft mirë problemet e rajonit. Pikërisht kjo gazetë, e cila lobon për mosndarjen e shtetit të Kosovës, do shkruante se në këto kohë të virusit korona, “është fatkeqësi, që kosovarët nuk do mund as të protestojnë” kundër rrëzimit të qeverisë Kurti.

Pa Kurtin kryeministër, ndarja e Kosovës ose marrëveshja Thaçi/Vucic, është lehtë e arritshme, pasi Isa Mustafa i LDK-së, Ramush Haradinaj i AAK dhe PDK e Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit, janë të dëgjueshëm ndaj çdo kërkese të të huajve. Bile mediat gjermanofone shpesh kanë theksuar se Thaçi është i kapur nga Gjykata Speciale.

Kjo mbështetje për ndarjen e Kosovës merr mbështetje akoma më të fuqishme, po të kihet parasysh se atë e mbështesin presidenti francez Emanuel Macron, kancelari austriak Sebastian Kurz, administrata Trump, veçanërisht dhëndri Jared Kushner dhe i dërguari special Grenell, si dhe i biri i multi-miliarderit George Soros, Alexander – pra aleatët më të rëndësishëm perëndimorë të shqiptarëve. Përjashtim këtu bëjnë dy shtete, jo pak të rëndësishme – në fakt kancelarja gjermane Angela Merkel, si dhe shteti i Zvicrës.

Por Merkel është drejt fundit të saj në politikë dhe pasardhësi ose pasardhësja e saj vështirë se do mund të ishte stoike për Kosovën si Merkel. Kurse Zvicra e vetme, vështirë se do mund ta kundërshtonte me vepër, por vetë fakti që politikanët zviceranë paralajmërojnë për rrezik të stabilitetit ballkanik “në rast se ndahet Kosova” tregon se vërtet ky projekt është i rrezikshëm.

Kurti e ka vështirë të dalë kundër shumicës së aleatëve ndërkombëtarë të Kosovës dhe kundër gjithë partiave të Kosovës, megjithatë akoma ka një shpresë – mbështetja nga Merkel dhe pse jo, nga gruaja më e votuar e Kosovës, Vjosa Osmani.

Shpesh, koha dhe durimi janë armët më të fuqishme të të sinqertëve…./Foldrejt.com

Vërejtje: Ky shkrim është mbështetur me citate nga media zvicerane SRF dhe media austriake Der Standard