E rrallë/ Popullistët zviceranë të SVP iniciatorë të bashkëpunimit me Kosovën

Në kohën kur thuajse të gjithë partitë populliste europiane janë kundër emigrantëve dhe shpesh edhe me deklarata kundër shqiptarëve dhe pavarësisë së Kosovës, kjo ndryshon ose ka filluar të ndryshojë për popullistët e ekstremit të djathtë në Zvicër, shkruan foldrejt.com.

Me themelimin e Dhomës së Përbashkët Tregtare mes Kosovës dhe Zvicrës në vjeshtën e vitit të kaluar, akti i themelimit është kryer këtë të mërkurë, shkruan prestigjiozja zvicerane NZZ.ch.

Në mbledhje ishin dy ministra të Kosovës, ministri i jashtëm Behgjet Pacolli dhe ministri i ekonomisë Valdrin Lluka, si dhe Këshilltari Federal Guy Parmelin, përcjell foldrejt.com.

Fakti interesant

Habia e madhe në këtë detaj është përfaqësimi i partisë SVP, që kishte rol dominant në themelimin e organizatës së re, shkruan më tej prestigjozja zvicerane, përcjell foldrejt.com. Nuk do ishte kjo Dhomë Tregtare mes Bernës dhe Prishtinës pa ndihmën e përfaqësuesve të kësaj partia populliste SVP,  Alfred Heer dhe Hans Egloff.

Dikur kjo parti garonte me sloganin zgjedhor “kosovarët therin zviceranët”, por duket se kur është fjala për biznes ata kanë ndryshuar qasjen ose kanë filluar gjithmonë e më tepër të kenë simpati për shqiptarët dhe Kosovën.

Si ndodhi që disa eksponentë të SVP janë iniciatorët e dhomës tregtare mes Kosovës dhe Zvicrës?

Anëtari Andreas Erb sqaron se kjo më së shumti lidhet me njohjen personale prej shumë vitesh të eksponentëve të SVP me disa shqiptarë të diasporës si biznesmenin Muse Komani dhe përfaqësuesin në konsullatën e Kosovës në Zyrih, Islam Spahiu.

Remitencat e Zvicrës

Përndryshe Zvicra dhe Kosova kanë marrëdhënie të ngushta prej shumë vitesh për faktin edhe se 200 mijë banorë të Kosovës jetojnë në Zvicër. Por mungesa e Dhomës së Përbashkët të Tregtisë mes të dyja vendeve kishte sjell deficit në shkëmbimet tregtare mes të dyja vendeve. Për shembull në 2017 nga Kosova ishin eksportuar në Zvicër vetëm mallra me vlerë 27 milion franga. Kurse eksportet nga Zvicra në Kosovë kapnin shifrat e 40 milion frangave (kryesisht automjeteve, barnave farmaceutikë dhe produktet buqësore).

Kjo është mjaft e vogël për Kosovën, një vend i cili varet shumë nga remitencat – prej të cilëve një e pesta vijnë nga Zvicra.

Pavarësisht problemeve të shumta që ka ekonomia kosovare, themelimi i kësaj Dhome pritet të ndihmojë klimën e biznesit mes të dyja vendeve./Foldrejt.com