E panjohura e kullave të Vushtrrisë: që dikur ishin institucione, kuvende që ruajtën gjuhën, zakonet shqiptare

Nga Shkelzen Rrecaj

Kalaja e vjetër, ura e gurit, shtëpitë e vjetra, xhamitë e vjetra, hamami etj., janë një ndër pasuritë e mëdha që ka qyteti i Vushtrrisë, që tregon se ky qytet është një ndër qytetet më të lashta në Kosovë. Kjo trevë është përplot me monumente të trashëgimisë kulturore. Fatkeqësisht, disa prej tyre koha i ka shkatërruar, por janë disa sosh që kanë mbetur të paeksploruara në brenditë e tyre.

Këto janë kullat e këtij qytet që shumë pak janë të njohur se edhe kjo pjesë ka kulla, për arsye se më shumë për kulla janë të njohur ana e Dukagjinit dhe më pak në Rrafshin e Kosovës, e që këta të fundit janë të shquar më shumë për oda të cilat janë një katshe e ndërsa kullat janë tre katshe.


Kulla e Kadri Hyesnit në fshatin Ashlan

Kullat te shqiptarët kanë qenë më tepër se shtëpi banimi; ato kanë qenë gati-gati institucione të jetës në shekuj, ku janë pleqëruar shumë tema, janë marrë vendime të rëndësishme, janë shënuar ngjarje të mëdha e shumë e shumë aktivitete të ndryshme. Dhe ato gjithherë kanë tërhequr vëmendjen për veçantinë dhe madhështinë e tyre.

Kulla si tip banese popullore fshatare, dallohet nga tipet e tjera të banesës popullore, për karakterin dhe funksionin e saj të theksuar mbrojtës

Një ndër to është edhe kulla e Zejnullah Begut, i cili është kushërirë i Hasan Prishtinës, e cila është ndërtuar në fillim të shekullit XX. Kjo shtëpi shquhet me arkitekturën më bashkëkohore. Disa pjesë të murit dhe harqet e dyerve janë të punuara me gurë të gdhendur. Pjesa kryesore e murit është e punuar me tulla të pjekura. Ky monument është i ndërtuar në fshatin Balaj në një kodrinë ku e dominon sipërfaqen përreth.

Kulla në fshatin Gumisht

Fshati Balaj është një ndër fshatrat më të reja ku i kishin pronat e vjetra feudale të shqiptarëve në kohën e Perandorisë Osmane, gjegjësisht feudali i njohur Zejnullah Begu. Fshati është zhvilluar përreth kësaj kulle dhe janë atraktive edhe disa rrethoja të punuara me gur. Pronarët e kësaj kulle kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimet historike dhe kulturorë të popullit tonë.

Ndërsa, kulla e Kadri Hysenit është ndërtuar në shekullit XIX. Kjo kullë shquhet me arkitekturë autoktone shqiptare.

Është e punuar prej gurit të gdhendur. Kulla është dykatëshe. E mbuluar me qeramidhe. Ka dyert prej drurit dhe murin rrethues prej gurit të gdhendur. Edhe rrethin e pusit të ujit në oborr e ka prej gurit të gdhendur. Ky monumenti është i ndërtuar në fshatin Ashlan në një pjesë të relievit ku e dominon sipërfaqen përreth. Ashlani si vendbanim përmendet në regjistra kadastral Osman në shek XV.

Po ashtu është ndërtuar edhe kulla e Azem Galicës në fshatin Galicë, e cila është rindërtuar dhe rikonstrukturar me gurët e kullës së vjetër të Azem Bejtës, pas rrënimit të shkollës së vjetër në Prekaz, e cila ishte ndërtuar pikërisht me gurët e kësaj kulle.

kulla e Azem Galices

Kullat si kategori të arkitekturës tonë popullore dallojnë nëpërmjet tyre për nga kompozicioni, planimetria, funksioni dhe dukja arkitektonike.

Disa kulla i ndërtuan mjeshtër nga Dibra, por ka edhe kulla që u punuan nga mjeshtër vendor të fshatit. Pothuajse gati të gjitha kullat janë punuar nga gurë të gdhendur të cilët janë marrë nga muret e lokalitetit antik Katunishta, në fshatin Gumnishtë dhe gurë të punuar në vend nga mjeshtër vendor.

Çfarë roli kishte kulla në shoqërinë shqiptare?

Për t’u njohur me shumë rreth rolit të kullës foldrejt.com bisedoi me historianin e qytetit të Vushtrrisë PhD. Sc. Izet S. Miftari, i cili u shpreh: “Fjala Kullë, sipas Mikel Ndrecës, rrjedh nga fjala arabe Qulla që d.m.th. kala apo fortesë, si dhe nga fjala turke Kule, që po ashtu d.m.th. kala ose fortesë. Mirëpo, me kalimin e kohës, meqenëse ky objekt arkitektonik gradualisht u shndërruan në ndërtesë tipike shqiptare,  edhe fjala kullë u “asimilua” në mënyrë progresive dhe hyri si fjalë në fjalorin e gjuhës shqipe. Në fjalorin e gjuhës shqipe, fjalë KULLË sqarohet kështu: “Shtëpi e lartë prej guri me dy a tri kate, e ndërtuar zakonisht në një vend të ngritur, me dritare të vogla dhe me frëngji, që shërbente si banesë dhe për mbrojtje”. Jepen edhe disa interpretime të tjera, por në këtë kontekst, pak a shumë ka këtë kuptim të paraqitur.”

Ai po ashtu theksoi: “Kullat janë ndërtesa me mure të gjëra – trasha nga guri (megjithëse ekzistojnë të dhëna se ka pasur edhe nga tullat dhe qerpiçët). Zakonisht kanë formë katrore dhe të katërkëndëshit kënddrejtë. Në katin përdhese mbaheshin kafshët, ku nuk kishte dritare, por vetëm frëngji. Konstruksioni i kulmit të kullave ishte shumë i ulët, sa që vështirë se vërehej dhe ishte i punuar me katër ulluqe të mbuluar me tjegulla.”

“Numri më i madh i kullave në Kosovë janë ndërtuar gjatë shekullit XIX dhe në çerekun e parë të shekullit XX. Ndërsa, për nga numrit të kullave, printe Dukagjini. Mjeshtëritë kryesor për ndërtimin e tyre kanë qenë nga Dibra, ose siç njiheshin në popull, mjeshtrit dibran, të cilët ishin shumë profesionist në gdhendjen dhe vendosjen e gurit në mure. Duhet theksuar se në komunën e Vushtrrisë, një ndër kullat kryesore ka qenë kulla e Zejnullah Begut, i cili kishte ndërtuar edhe në Balinc dhe Karaçë. Rëndësia e tyre ka qenë shumë e madhe, nga se janë organizuar kuvende, mbledhje e takime me rëndësi të veçantë kombëtare. Në një kullë në Vushtrri, si duket në kullën e Sylejman Pashës,  mendohet se ishte lindur Hasan Prishtina.

Nuk duhet harruar as kullën e Azem Galicës në fshatin Galicë të komunës së Vushtrrisë. Në muajin korrik 1923, me përkrahjen vullnetare të popullatës së Zonës së Lirë të Drenicës dhe më gjerë, u ndërtua apo i rindërtua kulla e Azemit në Galicë,” deklaroi Miftari.

Kulla e Zejnullah Begut

“Duhet shtuar se  në vitin 1907, forcat osmane i dogjën shtëpinë dhe e vranë babain, Azem Galicës, Bejtën. Në vitin 1920, forcat pushtuese serbe i djegin për të dytën herë shtëpinë, duke bërë përpjekje që në çdo formë të ulin ndjenjën patriotike të Azem Galicës dhe bashkëluftëtarëve të tij. Gjatë këtij operacioni, u dogjën edhe disa shtëpi të tjera në Galicë.

Prandaj, shkatërrimi i kullës së Azem në vjeshtë të vitit 1924, trajtohet si djegieje e tretë me radhë e shtëpisë (kullës) së tij,” theksoi prof. Miftari.

Prof. Miftari me tej shtoi: “Pas vitit 1999, përkatësisht më 16 korrik 2010, me rastin e 86 vjetorit të rënies heroike të Azem Bejtës, u vë gurë themeli për rindërtimin e katërt të kullës së Azemit në Galicë.

Ruajtja dhe rindërtimi i kullave në territoret shqiptare ku kanë qenë më parë, është kujtesë për historinë e lavdishme të popullit shqiptar. Nëpër kullat shqiptare është ruajtur gjuha, tradita, zakonet dhe atdhedashuria kombëtare shqiptare.”

Rikthimi i kullave, do ta bënte Vushtrrinë një ndër vendet me të pasura për nga kultura ku do i gjesh bashkë kalanë e vjetër, urën e gurit, shtëpitë e vjetra, xhamitë e vjetra, hamamin, që do ia ktheheshin hijeshinë e një qyteti që ka një kulturë, traditë, për faktin se trashëgimia është fytyra e vërtetë e saj. /foldrejt.com/