Komuna e Malishevës ka dhënë detaje për gjetjen e 2-vjeçarit, Tian Krasniqi nga fshati Tërpezë.

Me anë të një njoftimi për media, komuna ka bërë të ditur se Tiani është gjetur jo larg shtëpisë,  në gjendje të mirë shëndetësore, shkruan lajmi.net.

Ai kishte dalë nga shtëpia, dhe më nuk ishte hasur nga familjarët.

Që nga dje, për gjetjen e tij ishin angazhuar bashkëfshatarët, ekipe të tjera nga mbarë Kosova, FSK, dhe ekipet e zjarrfikësve.

Njoftimi i plotë:

U gjet shëndosh e mirë dyvjeçari Tian Krasniqi. Falënderohen të gjithë ata që u angazhuan në gjetjen e tij

Malishevë, 22 gusht
Sot para mesditës, pas një operacioni të gjerë të kërkimit, është gjetur shëndosh e mirë, Tian Krasniqi, dy vjeç, nga Tërpeza, i cili dje në orët e vona të pasdites ishte larguar nga shtëpia. Tiani është gjetur jo larg shtëpisë, në gjendje të mirë shëndetësore. Gjendja e mirë e shëndetësore është konfirmuar pas kontrollit mjekësor të kryer në urgjencën e QKMF-së në Malishevë.
Në kërkim për gjetjen e vogëlushit, dje mbrëma dhe sot nga orët e para të mëngjesit, ishin angazhuar banorët e fshatit Tërpezë, njësitë e kërkim shpëtimit të Ushtrisë së Kosovës, Policisë, njësia e zjarrfikësve dhe shpëtimit në Malishevë, ekipet emergjente komunale dhe vullnetarë të shumtë.
Pas gjetjes së fëmijës, në emër të Komunës së Malishevës, nënkryetari i komunës, Hajdin Berisha, i ka falënderuar të gjithë ata që kanë qenë të angazhuar në kërkim dhe e kanë gjetur Tianin. “Në emër të Komunës së Malishevës, i falënderoj të gjitha njësitë e kërkim shpëtimit, vullnetarët e shumtë dhe banorët e Tërpezës, për angazhimin e pashoq të treguar në gjetjen fëmijës”, ka thënë nënkryetari Berisha, duke i falënderuar të gjithë për gjetjen e dyvjeçarit.
Po ashtu edhe familja Krasniqi edhe fshati Tërpezë, përmes deklarimeve të ndryshme, i kanë falënderuar të gjithë për angazhimin e tyre në gjetjen e djalit.