Një 41-vjeçar në provincën lindore të Kinës Jiangsu është konfirmuar si rasti i parë njerëzor i infeksionit me një lloj të rrallë gripi shpendësh të njohur si H10N3, ka thënë Komisioni Kombëtar i Shëndetit i Pekinit (NHC).

Një banor i qytetit të Zhenjiang, u shtrua në spital në 28 Prill dhe u diagnostikua me H10N3 më 28 maj, tha të martën komisioni shëndetësor, duke shtuar se gjendja e tij është e qëndrueshme, raporton Reuters, transmeton FolDrejt.com.

Dihet pak për virusin, i cili duket se është i rrallë tek zogjtë, sipas Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) dhe nuk shkakton sëmundje të rëndë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha ndërsa burimi i ekspozimit të pacientit ndaj virusit H10N3 nuk ishte i njohur dhe asnjë rast tjetër nuk u gjet në mesin e popullatës lokale, ende nuk kishte ndonjë indikacion të transmetimit nga njeriu në njeri.

Megjithatë, viruset e gripit të shpezëve që kanë pak ndikim tek zogjtë mund të jenë shumë më serioze tek njerëzit, të tilla si lloji H7N9 që vrau pothuajse 300 njerëz në Kinë gjatë dimrit të 2016-2017. OBSH-ja ka thënë se kishte pasur vetëm raste të rralla të përhapjes personi më person i virusit H7N9.

Cilat janë rreziqet?

Rreziku i infektimit të mëtejshëm me H10N3 aktualisht besohet të jetë shumë i ulët, me ekspertë që e përshkruajnë rastin si “sporadik”.

Raste të tilla ndodhin herë pas here në Kinë, e cila ka popullata të mëdha të zogjve të fermave dhe të egër të shumë specieve.

Në shkurt, Rusia raportoi infeksionin e parë njerëzor me virusin H5N8 që shkaktoi dëme të mëdha në fermat e pulave në të gjithë Evropën, Rusinë dhe Azinë Lindore dimrin e kaluar.

Ekspertët do të jenë në gatishmëri për çdo grup të rasteve H10N3, por tani për tani, një rast i vetëm nuk është shumë shqetësues.

“Për sa kohë që viruset e gripit të shpendëve qarkullojnë në shpendë, infeksioni sporadik i gripit të shpendëve në njerëz nuk është për t’u habitur, gjë që është një kujtesë e gjallë se kërcënimi i një pandemie të gripit është i vazhdueshëm”, tha OBSH për Reuters në një deklaratë, transmeton FolDrejt.com.

Sekuenca gjenetike e virusit që infektoi pacientin nuk është botuar ende dhe do të jetë e nevojshme për të vlerësuar plotësisht rrezikun e tij.

Shkencëtarët do të duan të dinë se sa lehtë H10N3 mund të infektojë qelizat njerëzore për të përcaktuar nëse mund të bëhet një rrezik më i madh.

Për shembull, varianti H5N1 që njerëzit e infektuar për herë të parë në vitin 1997 ka qenë më vdekjeprurësi, duke vrarë 455 njerëz në mbarë botën deri më tani.

Do të duheshin vetëm disa mutacione para se varianti H5N1 të fitojë aftësinë për t’u përhapur lehtësisht nga personi në person, tha Ben Cowling, profesor në Shkollën e Shëndetit Publik në Universitetin e Hong Kongut, duke e bërë atë një përparësi të lartë për mbikëqyrjen. /FolDrejt.com/