Deputetja e AAK’së, Donika Kadaj Bujupi ka thënë se lufta çlirimtare duhet të institucionalizohet.
Kadaj Bujupi ka thënë se sulmet ndaj UÇK’së po bëhen nga pjesëtarët e OJQ’ve që tentojnë të zgjasin financimet e tyre.
“Nuk është hera e parë, e siç po shihet as e fundit, që brutalisht sulmohet ADN e shtetit tonë. Sulmet vijnë prej fronteve të ndryshme, herë prej “burreshtetasve” që tentojnë të faktorizohen e të hynë në hatër me agjenda ndërkombëtare, e herë prej ojqistëve që tentojnë të zgjasin financimet e projekteve të tyre”, ka shkruar Kadaj.
Deputetja e AAK’së ka thënë se këto sulme dërgojnë ujë në mulli të Serbisë.
“Rezultati është i njëjti, pra të gjitha këto rryma çojnë ujë në mulli të Serbisë, e cila vazhdimisht sulmon të vërtetën historike të popullit të Kosoves, Ushtrinë Clirimtare të Kosovës”, ka thënë ajo.
Deputetja ka shtuar se si anëtare e Komisionit për ligje në Kuvend do të procesojë Ligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës.
“Andaj, si anëtare e Komisionit për ligje në Parlamentin e Kosovës, në mbledhjen e radhës do të procesoj Ligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës (për të cilin ka pasur iniciativa edhe më herët por është kthyer në pikën zero).Në këtë mënyrë nënat shqiptare që humbën më të dashurit e tyre gjatë agresionit serb në Kosovë, nuk do të perballen me deklarata fyese e denigruese për bijat e bijtë e veta”, ka thënë ajo.