Deputeti i LVV-së, Hajrulla Çeku ka folur rreth mocionit të LVV-së për rrëzimin e Qeverisë dhe për atë që e ka quajtur ndryshim të qasjes së partisë tjetër opozitare, PDK-së.

“Ka qenë një apo dy ditë para se ne ta publikojmë nismën për mocionin e mosbesimit, kur nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës publikisht ka thënë që ‘le ta nisë Lëvizja, ne i japim nënshkrimet’”, ka rikujtuar ai.

Çeku thotë se qasja e PDK-së është modifikuar më pas dhe janë shfaqur me një variant tjetër.

“Thanë: ‘Bëjini 40 nënshkrime, silleni mocionin në seancë e pastaj ne e votojmë.’ Dikur kushtëzonin edhe që brenda atyre 40 nënshkrimeve të jenë edhe ato të z. Osmani dhe z. Avdyli. Pastaj doli një tjetër zyrtar i lartë i PDK-së dhe tha që nëse e marrin postin e presidentit dhe kryeministrit, atëherë do të hyjnë në këtë qeveri. Pastaj doli një tjetër zyrtar i PDK-së, para dy netësh, nëse nuk gaboj, i cili tha që duhet të ketë riformatizim të qeverisë e të tjera”, ka thënë Çeku në ktv.

Ai ka shtuar se për PDK-në e ka një pyetje.

“Nëse për ata, strategjia jonë për rrëzimin e kësaj qeverie nuk është serioze, të na tregojnë se cila është strategjia e tyre, pra cili është plani i tyre për ta rrëzuar këtë qeveri. Dhe, e dyta, të na spjegojnë dallimin mes nënshkrimit të tyre në mocionin për rrëzimin e qeverisë dhe votës në seancë për rrëzimin e qeverisë”, ka thënë ai.