Njëri ndër artistët më të dashur të publikut dardan, Çun Lajçi, pas vizitës që kreu në Shkup, Tetovë dhe Gostivar, së fundi ka vizituar edhe Dibrën e Nëntë Maleve dhe dy lumenjve, informon foldrejt.com. Atij natyrisht nuk mund t’i shpëtonte bukuria gjarpëruese e lumit të Radikës, shikimi kërcënues i maleve të Korabit, por afërmendsh edhe pesha e rëndë e historisë shqiptare që kanë përjetuar këto vise. 

Në vijim Foldrejt.com, ju sjell shkrimin e plotë të artistit Çun Lajçi.

-Liqenin e Mavroves e kalova shpejtë. Jo pse ia lëshova benzit kryet, po pse mendet m’fluturuen kodrinave, t’mbushuna me ski-lifta, ku kullosin mija berre t’rrethueme me tufa qensh Sharri.

Ashtu i pashë atë verë kur po e filmonim “Kohën e Kometës” derisa po ecja n’sandale barit t’shkurt, që barijtë e thërrasin kripç.

S’po m’shkonte mendja të gjarpijtë që mund t’kafshonin, po me bisht t’synit po i përvjedhsha qentë, mos helbete po m’turreshin si ujqët.

– Shtriju, bahu si i vdekun i thashë vetës, nëse ndonjeni çartet e mësynë kah ti.
I kisha thanë organizatorit, mos ma dërgo veturën, se dua me i trupua kodrat e Mavrovës, me i pa barijtë tue u fishkëllua qenve e tue u fry kavajve. Kisha qejf me i pa ato mija dele tue kullotë n’mallim e me shkundë mallin e rudinave t’mia n’krahun e majtë t’Çakorrit.

Por zemra po m’dridhej nga qentë që m’shikonin mos po futesha n’tufat e deleve e barijtë s’shiheshin me sy që ta kërkoja ndihmen e tyne. Vetëm fishkëllimat ndëgjoheshin e zani i shterun i kavajve.

Galiçniku s’dukej kurkund n’sfond e rudinat s’kishin t’sosun e atje po m’priste nji ekipë e tanë aktorësh, diku të nji kullë e braktisun me dekada!

– Ngadalë se u futem Grykës së Radikës m’tha Gala. Rruga qenka me gropa e me kthesa.

Po i thash, Hajredin Pasha e hallakati me topa, prej inatit që ia vranë taborret me ushtri, dhe qeshëm!

Ani de, veç hapi sytë se mos po t’del Isfuf Xhelili, ajo arrusha e maleve, e t’gjunë n’Radikë ty e Hajredinin, e mandej Haxhi Vebi Dibra e ngritë flamurin n’Vlonë pa ty!

Jo, se e kam Nexhmie Xhuglinin n’veturë e qet pushkë për mua ia ktheva dhe prap qeshëm.

S’kisha qenë me vite asaj rruge. Dy herë kalova n’viti 1996 me Afrim Spahiun, drejtorin e fotografisë së filmit “Kolonel Bunkeri”, që po xhirohej ato ditë në Shengjin, e ky donte t’çmallej me nanën para se ta kalonim kufinin e t’futeshim Qafës se Buallit, dhe dy herë me Teatrin e Prishtinës. Mbahej nji festival teatri këtu me drejtor Ylber Nuredinin e unë isha n’konkurencë me “Komplotin Ilir” nji herë e n’fund me “Përplasjet”, që të dyat t’Ekrem Kryeziut. Mora çmimin e parë për rolin e Cenit dhe ma s’ia mësyna Radikës as Dibrës.

Dhe nji copë rrugë e shkelëm pa folë!

Sa e dhimbshme. Kalojshin kilometrat tue kujtua se po shkoj n’festival e prap do t’me duartrokasin si herën e fundit për Cenin! E kur rrotat bishin n’gropa, i thojsha vetës, ngadalë se nuk je n’autobusin e teatrit. Je tue shkua me shitë libra, jo me dalë n’skenë!

Vërtetë e dhimbshme. Fituesi i festivalit të Dibrës nesër do t’jetë shitësi i librave të Skenderbeu. Po biri i saj do t’jetë nesër i qëndisun me librat e Çunit!

Por s’asht dhimbje e madhe kjo. Ma e madhe asht harresa. Kush e kujton ma Koxhaxhikun, katundin e vogël mbi Dibër, shtëpinë ku e kaloi fëmininë Mustafë Kemajl Ataturku?

Kujt i bie ndërmend Hasan Kaleshi, profesori që mbolli dritë e përfundoi n’terrin e harresës.

Edhe për Gjergj Gjonin s’flasim si për kodrat e Kosovrastit, jo se aty nxjerret guri kristal i gipsit me t’cilin gravojmë kullat!

Flasim për Banjon me ujin termal e s’na bie n’mend Aqif Lleshi e Hasani, as Dibra. Luksi i “hakërrimit” na i mori mendet e vatani shkoi për lesh!

Kodrat e gipsit me Banjon, mbesin mbrapa, unë futem n’rrethrrotullimin e parë të Dibrës.

Ndalem e kujtohem.

Prit, se njeni m’ka shkrua: Kthehu ne t’majtë, pastaj ne t’djathtë e para ka me t’dalë Hotel Kolonja’s!

Dhe turri i ndalet benzit gjerman para restorantit t’Albertit.

Bujrum artist m’thotë se ke ardhë të pasardhësit e Shahin Kolonjes, atij pjesëmarrësit t’Alfabetit të Manastirit!

Do t’jeni mysafiri i nderit n’hotelin e po sa hapun, m’thotë e përqafohemi, pa çka se covidi19 rritet e rritet!
Pushoje trupin i them vetës, se nesër ke punë me “Basardët” e me Gjergj Kastriotin e qepallat me mbyllën si çepenat e dyqaneve!
Dibër 19.10.2020, e përmbyll shkrimin artisti i madh shqiptar./Foldrejt.com