Aktori i mirënjohur shqiptar, Çun Lajçi, sot ka vizituar Tetovën dhe Gostivarin, ku është pritur ngrohtë nga simpatizantë të shumtë dhe udhëheqësis e UT-së, informon foldrejt.com.

“Gostivari më priti gati njësoj siç më priti Tetova. Kalova më mirë se sa e prisja. Të them të drejtën këto dy qytete e tejkalojnë Tiranën zyrtare me blerje”, tha Lajçi i cili u shpreh i kënaqur me interesin e shfaqur për blerjen e librave të tij.

Lajçi u shpreh i lumtur që këto dy qytete kanë shprehur interesim dhe se qytetarët Tetovës dhe Gostivarit nuk kanë harruar Çunin e 200 roleve në teatër dhe 30 filma dhe se kjo, sipas Lajçit, tregon se ka njerëz që e duan artin dhe kulturën.

Në lidhje me këshillën e tij ndaj të rinjve, ai tha:

“Gjithçka ndërtohet mbi dijen, nuk them se duhet të ndërtohet mbi shkrimet e mija. Në luftë gjithçka fitohet me plumb e pushkë, kurse në paqe mbi dijen, mbi shkrimin. Për këtë arsye, duhet të lexojnë gjeneratat e reja, është gjynah dhe e frikshme kur i shoh sot thonë se nuk lexojnë, se nuk ju duhet libri apo se lexojnë në internet, është e rrejshme, edhe unë kam telefon dhe mund të hyj në internet, por nuk mund të lexoj libër aty sepse nuk lexohen. Edhe shkrimtarët më të mëdhenj e kërkojnë librin. Gjeneratat e reja janë mashtruar shumë mbas rrjeteve sociale dhe mendojnë se aty është gjithçka, ma merr mendja se bëj mirë në një aspekt, që vijë këtu dhe në një mënyrë ua imponoj librin” tha shkrimtari Lajçi./Foldrejt.com