Cipras erdhi në pushtet me kursin anti-gjerman, po rrezikon pushtetin me kursin pro-perëndimor

Redaksia e Foldrejt.com


Dikur Aleksis Cipras fitoi zgjedhjet në Greqi me kursin e tij anti-gjerman dhe kundër borxheve gjigante që kishte shteti i tij. Tani po ndodh e kundërta. Duke na kujtuar fjalën e urtë shqiptare “miku njihet që është mik, në të keq e në rrezik” kancelarja gjermane Angela Merkel viziton Greqinë në momentet më kritike të Ciprasit ku partitë opozitare kanë kërkuar mocion votëbesimi – pasi partia në koalicion me Syriza, ANEL, ka kërkuar të dalë nga qeveria si pasojë e Marrëveshjes së Prespës.

Zgjidhja e kontestit të emrit mes Shkupit dhe Athinës ishte qëllimi kryesor i Perëndimit në Ballkan, ku ishte e pamundur të arrihej nga qeveritë e mëparshme greke dhe më pas edhe nga qeveria e Maqedonisë e udhëhequr nga Nikola Gruevski. Të dy kërkonin të kishin të drejta ‘ekskluzive’ mbi termin “Maqedoni”. Tashmë kjo u arrit falë presioneve të Perëndimit dhe dy qeverive të majta të udhëhequra nga Syriza në Greqi dhe LSDM në Maqedoni.

Sipas komentit të medias gjermane “Der Spiegel” zgjidhja e kontestit të emrit mes Shkupit dhe Athinës do ndihmojë në shmangjen e shtimit të ndikimit rus dhe turk në Ballkanin Perëndimor. Sidoqë të jetë politika ndërkombëtare, është në të mirë të të gjithë banorëve të Maqedonisë, dhe shqiptarëve në veçanti, që Maqedonia sa më parë të jetë pjesë e NATO dhe BE.

Por ajo që kuptojmë në këto momente, në kohën kur Ciprasi erdhi në pushtet nga kursi anti-gjerman dhe deri diku pro-rus, pasi herën e parë si kryeministër vizitoi Rusinë, tani rrezikon të dalë nga qeveria si pasojë e kursit tepër pro-perëndimor dhe anti-rus. Kështu qenka politika!/Foldrejt.com